Shqipëria Postuar më 20 Shtator 2025, 11:23

Planet për furnizim 24 orë me ujë/ Deri në 2029-ën, 100% e zonave urbane dhe 80% e fshatrave

Nga Ola Mitre

 

Planet për furnizim 24 orë me ujë/ Deri në 2029-ën,

Furnizim 24 orë me ujë të pijshëm në 100% të zonave urbane dhe mbi 80% të zonave rurale, deri në vitin 2030”. Ky është një prej objektivave të vendosur në programin qeverisës për 4-vjeçarin, që u miratua pak ditë më parë edhe në Kuvend. Një tjetër objektiv është Krijimi i Operatorit Shtetëror të Prodhimit të Ujit, si strukturë kombëtare e unifikuar që administron burimet ujore, garanton cilësi, mbrojtje dhe qëndrueshmëri afatgjatë.

Gjithashtu, në program thuhet se gjatë periudhës 2025 -2029 shpërndarja dhe furnizimi do konsolidohen si funksion, duke siguruar mirëmbajtjen e rrjeteve dhe reduktimin e humbjeve, ndërsa konsumatori do të marrë shërbim transparent, faturim korrekt dhe shërbim efikas. Digjitalizim i plotë i shërbimeve përmes sensorëve, monitorimit në kohë reale dhe inteligjencës artificiale, duke garantuar kontroll modern dhe menaxhim të integruar është një tjetër pikë e programit në drejtim të sektorit, si pjesë e shtyllës së dytë “Rritja ekonomike e qëndrueshme”.

Në fillim të muajit shtator u prezantua dhe reforma që pritet të ndërmerret në sektor, ku ndër të tjera u bë me dije se Operatori Shtetëror i Prodhimit të Ujit do të jetë funksional nga janari i vitit 2026. Krijimi i kësaj strukture do të shoqërohet edhe me ngritjen e Task- Forcës së Ujit, me fokus ndërprejen e lidhjeve të paligjshme dhe me reformë në burimet njerëzore të shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve.

Gjatë prezantimit të reformës autoritetet thanë se aktualisht janë 43 zona urbane dhe 98 rurale që furnizohen 24 orë me ujë. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat