Shqipëria Postuar më 30 Shtator 2025, 11:49

“Plan 3-vjeçar për reduktimin e parasë fizike” - Ibrahimaj: Luftë ndaj ekonomisë informale, përmirësim të klimës së investimeve 

Nga Diamila Leka

“Plan 3-vjeçar për reduktimin e parasë fizike” -

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë një deklarate për mediat, u ndal në zbatimin e një plani 3-vjeçar, që qeveria do të zbatojë për reduktimin e parasë cash në ekonomi. Kjo si pjesë e luftës kundër informalitetit dhe përmirësimit të klimës së investimeve në vend.

“Sa i takon parasë jashtë sistemit bankar dhe reduktimit të informalitetit ne do kemi plan agresiv masash për reduktimin e cash në ekonomi. Është plan 3-vjeçar i përgatitur nga qeveria që do miratohet në bashkëpunim me aktorët në treg, Bankën e Shqipërisë, sektorin bankar dhe të gjithë ata aktorë që janë pjesë dhe mund të japin kontribut në reduktimin e parasë cash në ekonomi. Ky plan përfshin një seri masash që do të zbatohen gjatë tre viteve të ardhshme me synimin për të luftuar ekonominë informale, për të rritur konkurrueshmërinë e bizneseve dhe për të përmirësuar klimën e investimeve në vend. Reduktimi i parasë “cash” është një hap i rëndësishëm drejt formalizimit të ekonomisë dhe luftës kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave. Dalja e Shqipërisë nga lista gri nga MONEYVAL para dy vitesh ishte një arritje, por tani na nevojitet një qasje më e strukturuar dhe afatgjatë për të garantuar besimin e investitorëve dhe për të ulur kostot financiare për bizneset që operojnë me tregjet ndërkombëtare. Shqipëria gjithashtu është bërë pjesë e sistemit SEPA, çka pritet të sjellë ulje të mëtejshme të kostove të transaksioneve financiare”.

Ndërkohë, gjatë deklaratës Ibrahimaj theksoi se ekonomia e Shqipërisë u rrit me 3.51% gjatë tremujorit të dytë 2025. Ministrja theksoi se konsumi i familjeve u rrit me 3.88% dhe i administratës publike me 12.44%, ndërsa u ndal dhe në rritjen e flukseve të investimeve të huaja direkte.

“Investimet e huaja direkte arritën në 759 milionë euro, duke u rritur me 8 mln euro në krahasim me vitin e kaluar. Italia dhe Holanda kanë fluksin më të madh të investimeve, ndërsa ka rritje Austria dhe Kosova. Sektorët kryesorë të investimeve janë pasurive të paluajtshme, aktivitetet financiare dhe industria nxjerrëse 5% e fitimeve të investimeve të huaja, ri-investohen në vend”.

Ibrahimaj theksoi gjithashtu se paga minimale do të shkojë në 500 euro, dhe se për 18 muajt e parë, kostot shtesë të detyrimeve të bizneseve do të mbulohen nga qeveria.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat