Shqipëria Postuar më 15 Shkurt 2026, 10:27

''Pezullim ministri, nesër depozitojmë në Kuvend, propozimet për ndryshimet ligjore''/ Rama: Drejtësi e pavarur, por pavarësia e gjyqësorit mbaron aty ku fillon pavarësia e legjislativit dhe ekzekutivit

Nga Alida Lula

''Pezullim ministri, nesër depozitojmë në Kuvend,

Kryeministri Edi Rama në Podkastin “Flasim”, ka folur mbi çështjen 'Balluku' duke sqaruar konkluzionet nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kryeministri tha se: Detyra të emërojnë apo të shkarkojnë ministra, nuk ndahet me gjyqësorin, pasi nuk i takon, dhe nuk mund të lejohet që ta marrë gjyqësori. Rama njoftoi se ditën e nesërme, së bashku me Kryetarin e grupit Taulant Balla dhe me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, do të depozitohet nisma për të adresuar menjëherë boshllëkun. Nisma do t’iparaqitet fillimisht, Grupit Parlamentar në mbledhjen e tij, pra të hënën në mëngjes, dhe do të jetë transparente edhe për opinionin publik, pasi prezantimi i nismës do të bëhet me praninë e medias.

 ''Edhe një herë tjetër, nuk është çështja tek personi, çështja është tek parimi dhe në këtë rast nuk është tek parimi abstract, por është tek parimi i ndarjes së panegociueshme të pushteteve kushtetuese, që të thotë: një vendim gjyqësor për pezullimin nga detyrat e një ministri, në kuadër të një mase sigurimi penal, ka nxjerrë në pah një boshllëk që është një boshllëk që ekziston sa në koka prokurorësh e gjykatësish dhe, edhe në legjislacionin tonë, përderisa në këtë vend pa kulturë të konsoliduar demokratike, dhe me një drejtësi të pavarur, në moshë shumë të mitur, nuk mjafton fryma e Kushtetutës që është shumë e qartë, po duhet edhe gërma e ligjit, madje gërmë për gërmë për gërmë, qoftë edhe për gjëra elementare si kjo. 

Gjykata në ushtrimin e kompetencave të saj ka të drejtë të vendosë masa sigurimi për çdo person nën hetim, këtë nuk e diskuton askush dhe askush nuk është mbi ligjin e këtu biem dakord të gjithë, të paktën të gjithë me fjalë, por unë bie dakord edhe me vepra. Por në të njëjtën kohë ka disa funksione, ku hyn edhe ai i ministrit, të cilat paralizohen nëse ministri pezullohet.

Pra, faktikisht nëse ti thua që “unë pezulloj një minister”, “unë pezulloj Presidentin e Republikës”, “unë pezulloj Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit” dhe ku di unë disa të tjerë që mbulojnë funksione të padelegueshme, faktikisht, ti prodhon një pasojë të menjëhershme të barabartë me shkarkimin, sepse nuk është pezulluar thjesht personi, siç mund të ndodhë me një drejtor, punën e të cilit e bën dikush tjetër, por është pezulluar funksioni. 

Ndërkohë që, pikërisht për shkak të funksionit, emërimi apo shkarkimi i ministrit, nuk është gjëkundi kurrë në asnjë vend të botës mund ta them me plot gojën tani, sepse nuk e ka nxjerrë dot kush një rast, kur në një vend të botës, kjo kompetencë është e një prokurori dhe një gjykatësi në një seancë paraprake, drejtësia duhet të jetë e pavarur. 

Sot ajo është e pavarur dhe duhet të mbetet përgjithmonë e pavarur, por pavarësia e pushtetit gjyqësor mbaron aty ku fillon pavarësia e dy pushteteve të tjera, legjislativit dhe ekzekutivit, të cilat ndër të tjera kanë edhe të drejtën dhe detyrën të emërojnë apo të shkarkojnë ministra dhe kjo e drejtë dhe detyrë, nuk ndahet me gjyqësorin, nuk i takon gjyqësorit dhe nuk mund të lejohet që ta marrë gjyqësori. 

Gjithsesi, tanimë kur as Gjykata Kushtetuese nuk mori dot vendim për rastin konkret, ne do të kalojmë përtej rastit konkret dhe të hënën në cilësinë e deputetit, unë, së bashku me Kryetarin e grupit Taulant Balla dhe me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, pra, me tre firmat tona do të depozitojmë nismën për të adresuar menjëherë boshllëkun në fjalë. Nisma do t’iparaqitet fillimisht, Grupit Parlamentar në mbledhjen e tij të fillim javës, ditën e hënë në mëngjes, dhe do të jetë transparenteedhe për opinionin publik, pasi prezantimi i nismës do të bëhet me praninë e medias.'' - tha kryeministri Rama.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat