Shqipëria Postuar më 14 Gusht 2025, 11:28

Përmirësohet situata nga zjarret në vend - Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 57 vatra, nga të cilat 29 janë aktive

Nga Hamit Yzeiraj

Përmirësohet situata nga zjarret në vend - Gjatë 24

Ministria e Mbrojtjes raporton se ditën e sotme situata nga zjarret në vend është më e stabilizuar. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 57 vatra zjarri, nga të cilat 29 janë aktive.

Në bashkinë Delvinë vijon puna për vatrën e zjarrit në Syrin e Kaltër. Zjarri vazhdon aktiv në lartësitë e Malit të Sopotit. Zjarri në fshatin Kuç, njësia administrative Horë-Vranisht, bashkia Himarë, vijon në një sipërfaqe me shkurre dhe pyje, ndërsa po operojnë forcat zjarrfikëse.

Në fshatin Plashnik të qarkut të Beratit, për shkak të intensitetit të lartë të zjarrit dhe erës së fortë u rrezikuan seriozisht disa banesa dhe u evakuuan 20 banorë. Sot në ndihmë të forcave tokësore shkuan edhe 2 helikopterët e Emirateve të Bashkuara Arabe si dhe 2 helikopterët që operonin në bashkinë Gramsh.

Sot që në orët e para të mëngjesit ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në fshatin Kullollas, njësia administrative Skënderbegas, bashkia Gramsh, në një zonë pyjore. Krahas forcave në terren, në operacionet ajrore morën pjesë 2 helikopterë (çek dhe sllovak).

Në bashkinë Fushë Arrëz, në fshatin Xath ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit dhe vënien e tij në kontroll. Zjarri ka rrezikuar edhe fshatin Trun, në pjesën e majës së Kunor Dardhës, në një terren shumë të thyer malor. Aktualisht po operojnë forcat tokësore dhe helikopteri i FA.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 65 automjete zjarrfikëse dhe 1,143 forca operacionale, të ndihmuar nga FA me 409 forca ushtarake, 23 automjete zjarrfikëse dhe 3 helikopterë të FA. Gjithashtu morën pjesë 7 helikopterë dhe 1 avion Canadair nga Italia.

Ndërkohë, Policia e Shtetit bën të ditur se prej qershorit deri më datë 14 gusht, janë identifikuar 137 autorë të zjarrvënieve, nga të cilët 46 janë arrestuar, ndërsa 91 janë proceduar penalisht.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat