Shqipëria Postuar më 4 Gusht 2026, 13:26

Përmirësim i furnizimit me energji në Alpet shqiptare - Nga Boga, në Theth. OSSH hap garën për linjën e re elektrike

Nga Ernilda Luzi

Përmirësim i furnizimit me energji në Alpet shqiptare - Nga Boga,

Drejtoria e Tensionit të Lartë OSSH, ka shpallur hapjen e garës për ndërtimin e linjës së re elektrike 35 kilovolt Bogë–Theth. Fondi limit i këtij investimi është 449 milionë e 681 mijë lekë.

Projekti synon ndërtimin e një linje të re të tensionit të mesëm që do të nisë nga nënstacioni i ri 35/6 kV në Bogë dhe do të përfundojë në Theth.

Linja e re do të ketë një gjatësi rreth 17.5 kilometra dhe do të ndërtohet me një qark 35 kV, ndërsa shtyllat metalike do të jenë sipas standardit 110 kV, duke krijuar mundësi për zhvillime të mëtejshme të rrjetit.

Sipas dokumentacionit teknik, një pjesë e linjës do të ndërtohet nëntokë në segmentin e Qafës së Thorës, për shkak të terrenit të vështirë shkëmbor, ndërsa pjesa tjetër do të realizohet me shtylla metalike dhe linjë ajrore. Ky investim synon të rrisë ndjeshëm kapacitetet e furnizimit me energji elektrike në një nga zonat më të rëndësishme turistike të vendit. Aktualisht, Thethi furnizohet përmes një linje 6 kV, e cila nuk i përgjigjet më kërkesave në rritje për energji.

Me ndërtimin e linjës së re 35 kV do të garantohet një furnizim më i qëndrueshëm, ulje të humbjeve teknike dhe përmirësim të cilësisë së shërbimit për banorët dhe bizneset e zonës.

Në dokument theksohet se investimi do të ndikojë edhe në uljen e ndërprerjeve të energjisë. Treguesi SAIFI, që mat mesataren e ndërprerjeve për konsumator, pritet të ulet nga 18.97 në vetëm 1.8 ndërprerje, ndërsa treguesi SAIDI, që mat kohëzgjatjen e ndërprerjeve, do të reduktohet nga 85.22 orë në 8.5 orë pas përfundimit të investimit.

Përfitimet nuk do të kufizohen vetëm në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike, por do të krijojnë kushte më të mira edhe për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Thethit dhe zonave përreth. Investimi konsiderohet një mbështetje e rëndësishme për bizneset turistike, strukturat akomoduese dhe investimet e reja që po shtohen vitet e fundit në Alpet Shqiptare.

Për shkak të terrenit malor dhe faktit që linja kalon në një zonë me vlera të larta natyrore, projekti parashikon masa për mbrojtjen e mjedisit. Traseja është projektuar në mënyrë që të shmangë sa më shumë zonat e pyllëzuara dhe prerja e pemëve të kryhet vetëm në rastet kur është e domosdoshme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat