Shqipëria Postuar më 8 August 2026, 11:56

Përmirësim cilësisë së vlerësimit të rrezikut kreditor - Pr/ligji parashikon ngritjen e Byrove të Kreditit si subjekte private

Nga Dorian Koça

Përmirësim cilësisë së vlerësimit të rrezikut

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin “Për Byrotë e Kreditit”. Qëllimi i tij është të sigurojë disponueshmërinë e informacionit të besueshëm kreditor, të garantojë një vlerësim të saktë dhe të rregullt të besueshmërisë kreditore të personave fizikë dhe juridikë, si dhe të kontribuojë në nxitjen e kredidhënies dhe kredimarrjes së ndershme e të përgjegjshme.

Në mungesë të një sistemi të standardizuar, institucionet financiare përballen me vështirësi në vlerësimin e besueshmërisë së klientëve, çka shpesh çon në rritje të kostove të kredisë dhe përjashtim të individëve dhe bizneseve nga tregu financiar. Projektligji synon parandalimin e mashtrimit kreditor dhe të praktikave mashtruese në procesin e dhënies dhe të përdorimit të kredisë, në blerjet me pagesë të shtyrë ose me këste, si dhe në marrëdhënie të tjera financiare ose tregtare që përfshijnë dhënien e financimit apo lindjen e detyrimeve për pagesë me afat, të cilat janë objekt i raportimit kreditor sipas këtij ligji.

Njëkohësisht, projektligji rrit transparencën dhe besueshmërinë e informacionit kreditor, duke mbështetur një vlerësim më të saktë të aftësisë paguese të klientëve dhe një vendimmarrje më të informuar nga subjektet raportuese dhe përdoruesit e autorizuar të informacionit kreditor. Gjithashtu, ai garanton mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të subjekteve të të dhënave, duke siguruar trajtimin e ligjshëm, të drejtë, të saktë dhe transparent të informacionit kreditor që u përket atyre.

Aktualisht, në Republikën e Shqipërisë nuk ekziston një kuadër i posaçëm ligjor që rregullon krijimin, licencimin dhe funksionimin e byrove të kreditit si subjekte private. Banka e Shqipërisë administron Regjistrin e Kredive, në të cilin bankat dhe subjektet e tjera financiare raportojnë informacion kreditor në zbatim të detyrimeve të përcaktuara nga legjislacioni dhe aktet nënligjore në fuqi, për qëllime që lidhen me ushtrimin e funksioneve të saj mbikëqyrëse dhe rregullatore ndaj subjekteve të licencuara dhe të mbikëqyrura prej saj.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat