Shqipëria Postuar më 8 Janar 2026, 11:23

Përmbytjet, situatë kritike në 6 qarqe - Emergjencat Civile: Problematika në tokat bujqësore, borë në disa qarqe

Nga Fabjona Pasho

Përmbytjet, situatë kritike në 6 qarqe - Emergjencat Civile:

Si pasojë e reshjeve intensive, gjatë orëve të fundit ka patur rritje të niveleve të lumenjve në disa qarqe të vendit, gjë që ka krijuar problematika serioze, kryesisht përmbytje të tokave bujqësore dhe banesave, rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore dhe bllokime rrugësh.

Situata më problematike paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqe të tjera situata është nën monitorim ose pa rrezik.

Në Shkodër, niveli i ujit është rritur në Obot me rreth 60 cm mbi rrugën kryesore dhe qarkullimi bëhet vetëm me mjete të tonazhit të lartë, ndërsa tokat bujqësore janë përmbytur. Në Vaun e Dejës 15 banesa janë të rrethuara nga uji, disa rrugë në Malësinë e Madhe janë të bllokuara, dhe në Fushë-Arrëz ka rrëshqitje dherash e rënie gurësh që kanë dëmtuar rrugët.

Në qarkun e Lezhës rreth 3000 ha tokë bujqësore janë nën ujë, rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji dhe dy familje janë evakuar. Ndërkaq, po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës në lumin Droje, fshati Dukagjin.

Në Vlorë,  niveli i Vjosës në Novoselë ka kaluar mbi 8 metra, janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe në Novoselë. Në Durrës aktualisht situata është drejt përmirësimit, por po punohet për heqjen e ujit nga rreth 800 banesa dhe objekte, veçanërisht në zonën e burgut, ish- Kënetës, Shkozet dhe Nishtullë.

Përmbytjet, situatë kritike në 6 qarqe - Emergjencat Civile:

Në terren ndodhen ekipe të vlerësimit të dëmeve që po vazhdojnë evidentimin dhe dokumentimin e rasteve: 250 persona janë të strehuar në Shtëpinë e Pushimit të FA, Durrës dhe 55 persona janë strehuar në Kovalishencën e Ministrisë së Brendshme. Lumenjtë Erzen dhe Ishëm, si dhe kanali i Tones janë në kuota maksimale. Disa rrugë të qytetit mbeten të bllokuara, për shkak të pranisë së lartë të ujit. Problematika ka edhe në Bashkinë Krujë, si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Droje ka vërshime uji në dy fshatrat Dukagjin i Ri dhe Miliska, ku janë prekur 50 familje.

Në Shijak ka prani uji në 15 banesa. Në Gjirokastër ka rrëshqitje dherash në aksin Tepelenë-Gjirokastër, ku qarkullimi është i kufizuar, ndërsa po punohet për rikthimin e energjisë në disa zona malore, ndërsa ka nivele të larta të lumit Vjosë në Memaliaj dhe Përmet. Në qarkun Kukës lumenjtë janë në kuota të larta, por pa problematika, ndërsa në qarkun e Tiranës ka rritje të niveleve të lumenjve në Rrogozhinë dhe Kavajë, por pa rrezik të menjëhershëm për zonat e banuara.

Disa rrugë janë të pakalueshme në Devoll, janë evidentuar rrëshqitje dherash dhe bllokime rrugore në Pogradec dhe Prrenjas, ndërsa në Maliq, ka sipërfaqe të tokave bujqësore nën ujë. Në Berat rreth 95 ha tokë bujqësore nën ujë dhe ka rritje të nivelit të lumit Osum. Në Fier ka rreth 200 ha tokë bujqësore të përmbytur dhe prezencë uji në 27 banesa në disa fshatra.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat