Shqipëria Postuar më 24 Nëntor 2025, 11:25

Përmbytjet, fermerët do të kompensohen për dëmet - Salla: Do të nisim evidentimin. Askush nuk do të mbetet pa mbështetje

Nga Elisabeta Dosku

Përmbytjet, fermerët do të kompensohen për dëmet -

Moti i keq dhe reshjet intensive të shiut përgjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në disa bashki të vendit dhe dëme të konsiderueshme ekonomike në toka bujqësore, bagëti, biznese.

Institucionet shtetërore kanë qenë në gatishmëri për të menaxhuar situatën në bashki si Sarandë, Fier dhe Lezhë, Shkodër, Korçë, ndërkohë që vijon monitorimi i situatës edhe në qarqe të tjera të vendit ku janë shfaqur problematika të ngjashme. 

Ministri i Bujqësisë, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes, z. Prefektin e Qarkut të Korçës, gjatë inspektimit në Maliq gjatë mbrëmjes të së dielës, theksoi se pas përfundimit të kësaj situate do të nisë puna për evidentimin e dëmeve në terren. Vlerësimet do të fokusohen veçanërisht te dëmet në sektorin bujqësor, përfshirë fermerët, blegtorët dhe subjektet e prekura.

“Jemi në fazën e mbylljes së problematikave më urgjente. Më pas do të vijojmë me evidentimin e çdo dëmi, duke garantuar që asnjë fermer të mos mbetet pa mbështetjen e nevojshme”, u shpreh ministri Salla.

Një studim i Bankës Botërore i publikuar në vitin 2022 përllogariti një dëm prej 2.3 miliardë dollarë i shkaktuar në 33 vitet e fundit në Shqipëri për shkak të përmbytjeve, duke nxitur investime serioze në këtë sektor. 

Ndërkohë, që në total fondi për menaxhimin e infrastrukturës së mbrojtjes nga përmbytjet dhe ujitje-kullim për vitin e ardhshëm është 36 milionë euro, apo 26.4% më shumë se një vit më parë.

Me këtë fond parashikohet rehabilitimi dhe ndërtimi i 10 km argjinaturave në lumenjtë kryesore për mbrojtën nga përmbytja, përfundimi i hidrovorit të Orikumit si dhe mirëmbajtja e 27 hidrovoreve në të gjithë vendin.  Nga ana tjetër, financohet përmirësimi i kullimit në mbi 60 mijë ha tokë bujqësore.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat