Shqipëria Postuar më 16 Prill 2026, 10:50

Për herë të parë, Shqipëria po prodhon mjete lundruese ushtarake - Çfarë do të përfshijnë konkretisht marrëveshjet e KAYO me dy kompanitë private?

Nga Ledina Elezi

Për herë të parë, Shqipëria po prodhon mjete lundruese

Kompania shtetërore shqiptare, KAYO, përgjegjëse për prodhimin dhe tregtimin e armëve, po bashkëpunon me dy kompani të tjera private për ndërtimin e mjeteve motorike lundruese ushtarake dhe civile, si dhe të dronëve. Kjo është hera e parë që Shqipëria përfshihet në prodhim, montim dhe riparim të mjeteve lundruese, të cilat do të jenë në shërbim të Forcave të Armatosura, strukturave të tjera të sigurisë dhe civilëve.

Por çfarë do të përfshijnë konkretisht këto marrëveshje?

Fillimisht, në rastin e prodhimit të dronëve, KAYO do të ketë jo më pak se 25% të aksioneve kur të krijohet shoqëria e përbashkët me kompaninë private.

Si në çdo bashkëpunim tjetër me kompanitë private, KAYO do të ofrojë vetëm pasuri të luajtshme ose të paluajtshme. Për prodhimin e dronëve, KAYO do të kontribuojë me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 1 000 metër katror, ndërsa kompania private duhet të ofrojë për 3 vite një vlerë investimi jo më të ulët se 30 milionë euro, të punësojë jo më pak se 35 punonjës, të ofrojë linjat teknologjike të prodhimit të mjeteve fluturuese pa pilot dhe sigurojë rrjetin e shpërndarjes së produkteve në rast eksporti.

Në të dyja rastet, administratori i shoqërisë së përbashkët do të përzgjidhet nga KAYO.

Në shoqërinë e përbashkët që do të krijohet për ndërtimin dhe riparimin e mjeteve motorike lundruese ushtarake dhe civile, KAYO do të ketë jo më pak se 40% të aksioneve. Pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, të ndodhura në kantierin detar të Pashalimanit, do të vihen në dispozicion, ashtu si në marrëveshjen e KAYO-s me Fincantier-in për prodhimin e anijeve ushtarake.

Subjekti privat do të transferojë njohuri teknike, si dhe praktika operacionale dhe të procedurave të brendshme, lidhur me ndërtimin e riparimin e mjeteve lundruese; projekte dhe kontrata; burime njerëzore dhe mbështetje teknike e logjistike; trajnime të personelit shqiptar; asistencë për përshtatjen e kurrikulave mësimore, lidhur me këtë aktivitet, si dhe sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së mjeteve motorike lundruese detare, në rast eksporti.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat