Shqipëria Postuar më 7 Qershor 2025, 10:55

Pensionistët, përjashtim nga taksa e pronës- Plani/ Bashkitë do të japin kartën për të moshuarit, heqje e taksës së automjeteve

Nga Elisabeta Dosku

Pensionistët, përjashtim nga taksa e pronës- Plani/ Bashkitë

Me qëllim reduktimin e varfërisë për të moshuarit, qeveria planifikon të krijojë lehtësi fiskale, të tilla si përjashtimi nga taksa e pasurive të patundshme të pronarëve të moshuar.

Në dokumentin e planit të moshimit 2025-2030, të miratuar së fundmi nga qeveria, thuhet se kjo kjo vlen për taksat që vendosen për shtëpitë e banimit, tokën, apo ullinjtë e vreshtat në zonat rurale apo dhe në rastet e apartamenteve, shtëpive në bregdet apo zona malore, të cilat mund të përdoren si AirBnB dhe shfrytëzohen për përfitime personale me qëllim rritjen e të ardhurave dhe reduktimin e varfërisë kur pronarët janë individë të moshës 60+.   Nga përjashtimi i taksës mbi pronën do të përfitojnë 100% e pensonistëve që marrin pensionin social apo minimal, të cilët do të përfshihen në listën e klientit në nevojë.

Nga ana tjetër parasikohet që deri në vitin 2030, të gjithë pensionistët përfitojnë kartën e pensionistit nga pushteti lokal. Lëshimi i kartës së pensionistit nga të 61 bashkitë, do të mundësojë përfitimin e transportit publik falas, heqjen e detyrimeve si taksa e pushtetit vendor, për të moshuarit dhe lehtësira të tjera në strehim apo shërbime.

Po ashtu, planifikohet heqja e taksës vjetore për automjetet vetiake të të moshuarve 65+ dhe reduktimi i gjobave dhe kamat-vonesave .

Nga ana tjetër mund të vendosen lehtësira fiskale për shpenzime që lidhen me kujdesin afagjatë përgjatë gjithë ciklit të jetës të tilla si heqja e tarifave të shërbimit për shtëpitë e pleqve ose për shërbimet shëndetësore, apo taksat vendore.

Reduktimi i çmimeve të energjisë elektrike,  duke i klasifikuar të moshuarit si kategori në nevojë, mbulimi i kostove të strehimit nëpërmjet bonusit të qerave, apo mbulimi i kostove të transportit publik nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, ndërhyrje të cilat përmirësojnë jetesën e individëve të moshuar.

Rishikimi i listës së barnave të rimbursueshme me qëllim reduktimin e kostove të jetesës, e veçanërisht për të moshuarit që janë me diabet, Alzhaimer, Parkinson, probleme të shëndetit mendor apo që kanë humbur autonominë,  të cilët jetojnë të vetmuar është një tjetër politikë që synohet të ndërmerret.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat