Shqipëria Postuar më 4 Qershor 2025, 11:16

Pensionet private, skemës i shtohen 1,451 kontribues - AMF: “Zgjerohet” me 493 mln lekë më shumë totali i aseteve të fondeve

Nga Ledina Elezi

 

Pensionet private, skemës i shtohen 1,451 kontribues - AMF:

Gjithnjë e më shumë qytetarë po zgjedhin që të kontribuojnë edhe për një pension privat, krahas atij shtetëror, me qëllim që të kenë një masë më të lartë përfitimi në pleqëri.

Të dhënat më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se numri i anëtarëve në fondet e pensionit privat ka arritur mbi 46 mijë. Në krahasim me fundin e vitit të kaluar, kemi pasur një rritje me 3% të kontribuesve në fondet e pensioneve private. E thënë ndryshe, skemës së pensioneve private i janë shtuar 1,451 kontribues të rinj në tremujorin e parë 2025.

Totali i aseteve neto të fondeve të pensioneve private është 13 miliardë lekë, vlerë kjo rreth 3.8% më e lartë se në 2024.

Paratë që qytetarët derdhin për një pension privat, shoqëritë administruese të fondeve të pensioneve private i investojnë vetëm në tituj qeveritarë, pra në bono thesari dhe obligacione dhe nuk i investojnë në forma të tjera, si për shembull depozita bankare. Sipas statistikave zyrtare, këto shoqëri kanë investuar 8.2 miliardë lekë në bono thesari dhe obligacione, 28% më shumë se në 2024. Interesi i fituar prej titujve qeveritarë rezulton 152 milionë lekë.

Qytetarët kanë mundësi që t'i investojnë paratë e tyre në shtatë fonde të pensioneve private, të cilat administrohen nga katër shoqëri.

Pavarësisht se ka pasur një rritje të kontribuesve në skemën private të pensioneve, sërish raporti me ata që derdhin kontribute për një pension shtetëror ëshë shumë i vogël. Përafërsisht, vetëm 5.5% e kontribuesve në skemën e sigurimeve shoqërore kontribuojnë edhe për një pension privat.

Në kuadër të reformës së pensioneve për të cilën qeveria shqiptare po bashkëpunon prej disa kohësh me Bankën Botërore, me qëllim rritjen e masës së përfitimit për ata të cilët dalin rishtazi në pension, është diskutuar që të ndërhyhet në dy shtylla kryesore, konkretisht në rishikimin e koeficientëve të vlerësimit, si edhe në zbatimin e kolonës së dytë që janë pensionet private, pra të bëhet e detyrueshme që një përqindje e pagës së një punonjësi të shkojë edhe për pension privat.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat