Shqipëria Postuar më 12 Nëntor 2025, 13:04

Pensionet private dhe sigurimet, afër standardeve të BE? - Drejtoresha e EIOPA: Përparim shumë i mirë. Fushata ndërgjegjësimi për jetën dhe pronën

Nga Ledina Elezi

Pensionet private dhe sigurimet, afër standardeve të BE? - Drejtoresha

Shqipëria ka bërë përparim shumë të mirë në zbatimin e ligjit të sigurimeve dhe pensioneve private në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Gjatë Konferencës Vjetore Globale të Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve 2025 që po mbahet për herë të parë në Tiranë, Drejtoresha e Autoritetit Evropian të Sigurimeve dhe Pensioneve Profesionale (EIOPA) u shpreh që Shqipëria kanë një plan të qartë veprimi për sa i përket zbatimit të standardeve të kërkuara në BE për sigurimet dhe pensionet private, ndërsa priten rezultate të mira në fillim të janarit.

Lidhur me dominimin e tregut të sigurimeve nga produkti MTPL, Hielkema theksoi që nevojiten fushata ndërgjegjësimi të qytetarëve për t'i nxitur ata drejt produkteve të tjera vullnetare si ajo e sigurimit të jetës dhe pronës.

“Së pari, ekziston rruga drejt Solvency II për t'u siguruar që të zbatosh kapitullin dhe procesin e përgjithshëm të anëtarësimit në BE. Pastaj ekziston një pyetje e dytë se si mund ta zhvillosh tregun tënd, por në shumë mënyra Shqipëria nuk është krejtësisht e ndryshme nga disa shtete anëtare. Shumë shtete anëtare kanë një treg dominues të sigurimeve motorike që është një treg i detyrueshëm, kanë pak prona dhe pak ende në kursime për pensionet. Pra, ajo që mendoj se mund të bëjmë është të punojmë së bashku për të menduar se si t'i ndihmoni njerëzit të kuptojnë se është mirë të kursejnë për pensionin dhe të fillojnë herët, si t'i ndihmoni njerëzit të mbrojnë pronën e tyre, si t'i ndihmoni fermerët të mbrojnë të korrat e tyre nga të gjitha ngjarjet e motit që shohim. Ky është padyshim një problem, një sfidë që duhet ta adresojmë, por nuk është diçka specifike për tregun shqiptar. Ka shumë tregje të tjera, përfshirë BE-në, që po përballen me këtë sfidë”, tha Drejtoresha e EIOPA.

Por, a do ndryshojë tregu i sigurimeve në Shqipëri me hyrjen në tregun e vetëm evropian? A do të bëhet ai më konkurrues?

“Në bazë të përvojës sime shoh që tregu i vetëm në çdo shtet anëtar nuk i ka eliminuar plotësisht lojtarët vendas, gjithmonë ka lojtarë vendas, çdo vend ka lojtarë të vegjël vendas, por padyshim që ka prezantuar edhe disa produkte të reja nga lojtarë që janë më evropianë dhe ofrojnë produkte në bazë të lirisë së shërbimeve.”

Në këtë Konferencë marrin pjesë 500 përfaqësues të nivelit të lartë nga autoritetet rregullatore të sigurimeve, nga industria ndërkombëtare e sigurimeve, si dhe nga institucione financiare ndërkombëtare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat