Shqipëria Postuar më 8 Janar 2025, 21:35

Pensionet me Italinë, miratohet projektligji nga Dhoma e Deputetëve

Nga Alida Lula

Pensionet me Italinë, miratohet projektligji nga Dhoma e Deputetëve

Projektligji C.1916, për marrëveshjen e sigurimeve shoqërore midis Italisë dhe Shqipërisë, është miratuar sot nga Dhoma e Deputetëve. Ky hap është rezultat i një pune të madhe, angazhimi dhe vendosmërie e shumë politikanëve dhe anëtarëve të shoqatës "Diaspora 91-19".

Kjo e fundit e ka cilësuar një ditë historike, duke falënderuar deputetin Emanuele Loperfido, raportues i projektit, i cili udhëhoqi debatin me kompetencë. Mirënjohje i është shprehur edhe ministrit të Jashtëm Antonio Tajani dhe kryeministres Giorgia Meloni, të cilët kanë treguar ndjeshmëri ndaj kësaj kauze që është kaq e rëndësishme për mijëra qytetarë. Ekipi i Diaspora 91-19 ANIAP, shpreh falënderim të veçantë për kryeministrin Edi Rama, pasi sipas tyre mbështetja dhe angazhimi i kryeministrit shqiptar, i kanë dhënë forcë dhe besueshmëri projektit, duke përshpejtuar procesin legjislativ. Tashmë hapi i radhës vazhdon në Senat. 

Nga kjo marrëveshje, përfitojnë rreth 500 mijë qytetarë shqiptarë emigrantë që jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj dhe rreth 4 mijë italianë që kanë leje qëndrimi në Shqipëri, përpos atyre që kanë biznese. Bazuar në këtë marrëveshje, shtetasit shqiptarë që jetojnë në Itali apo italianët që jetojnë në Shqipëri, përfitojnë nga Sigurimi i Përgjithshëm i detyrueshëm për pension invaliditeti, pleqërie dhe familjar të punonjēsve të punësuar, trajtimin e posaçëm të punonjësve të vetëpunësuar si artizanë, tregtarë, fermerë dhe sigurimin për përfitimin për sëmundjet, ku përfshihen edhe tuberkulozi e barrë lindja, si dhe sigurimin e papunësisë.

Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, personat që janë në prag pensioni duhet të aplikojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore respektive (shqiptarët në Itali dhe italianët në Shqipëri), duke bërë të mundur marrjen e dy pensioneve, sipas viteve të punës që ka derdhur kontributet

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat