Shqipëria Postuar më 2 Korrik 2025, 11:12

Pensionet, mbi 22 mijë kontribues i shtohen skemës - Shifra arrin rekord/ Zgjerohet fshati, privati dhe shteti

Nga Elisabeta Dosku

Pensionet, mbi 22 mijë kontribues i shtohen skemës - Shifra arrin

Ekonomia shqiptare ka performuar pozitivisht gjatë vitit që lamë pas, ku tregues nuk është vetëm rritja e ndjeshme e të ardhurave në buxhetin e shtetit por edhe rritja e numrit të të punësuarve.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i sigurimeve Shoqërore tregojnë se numri i të punësuarve dhe rrjedhimisht i atyre që kontribuojnë në skemën e sigurimeve shoqërore regjistroi një total prej 805,416 kontribuues sipas subjekteve, apo 22.165 kontribuues më shumë.

Ndërsa nëse do të përfshihen edhe ata individë sigurimet e të cilëve paguhen nga shteti apo me përfitim afatshkurtër, shifra arrin në 843,867, më e larta e 5 viteve të fundit në të dyja rastet.

Konkretisht nëse do të analizojmë sipas subjekteve, në 2024 janë 542,809 kontribuues në sektorin privat, duke regjistruar një kapërcim me 7944 punonjës më shumë se në 2023-shin.

Të punësuarit në privat zënë gjithashtu 64.3% të numrit total të kontribuuesve në skemën e sigurimeve. Rol të rëndësishëm në këtë ecuri ka pasur fushata antiinformalitet e nisur nga qeveria vitin e kaluar e cila synonte jo vetëm formalizmin e tregut të punës por edhe deklarimin real të pagave.

Por paralelisht me privatin, zgjerim ka pësuar edhe administrata shtetërore, e cila regjistron 166.810 mijë të punësuar në 2024, me një rritje prej 1234 punonjës. Administrata zë publike zë 19.4% të totalit të të punësuarve në vend.

Ndërkohë një lajm i mirë është dhe rritja e numrit të fermerëve të formalizuar, të cilët janë bërë pjesë e skemës së sigurimeve shoqërore. Në 2024 rezultojnë 88,866 të vetëpunësuar në bujqësi, me një rritje prej 13.415 fermerësh të formalizuar në raport me një vit më parë. Tashmë kjo kategori zë 10.5 për qind të numrit total të individëve që kontribuojnë ne skemë.

Një nga arsyet e ecurisë pozitive të formalizimit në bujqësi është edhe nevoja për të përfituar nga fondet e vëna në dispozicion nga Ministria e Bujqësisë, përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes por edhe Skemës së Garancisë, ku pajisja me nipt dhe derdhja e kontributeve është kriter kryesor për kualifikim.

Ndërsa numri i individëve që kontribuojnë vullnetarisht në skemë ka pësuar rënie me 431, duke u regjistruar në 6931 kontribuues.

Paga minimale mbi të cilat llogariten kontributet shoqërore është 40 mijë lekë dhe paga maksimale 176 mijë lekë.



Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat