Shqipëria Postuar më 19 Dhjetor 2025, 10:40

Pensionet, mbi 12 mijë kontribues i shtohen skemës - Rriten të ardhurat në buxhetin e shtetit, 1.5 miliardë euro në 10 muaj

Nga Elisabeta Dosku

Pensionet, mbi 12 mijë kontribues i shtohen skemës - Rriten të

Skema e pensioneve po përfiton nga zgjerimi i bazës së kontribuesve dhe rritja e pagave, duke reflektuar një përmirësim të mbledhjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore. Sipas të dhënave zyrtare, Administrata Tatimore mbledh rreth 96% të totalit të të ardhurave nga kontributet, një tregues i forcimit të administrimit tatimor dhe formalizimit të tregut të punës.

Rritja e të ardhurave nga kontributet mbështetet kryesisht në rritjen e pagave në administratën publike, e shoqëruar me zgjerimin e fondit të pagave edhe në sektorin privat, si dhe në masat e ndërmarra në kuadër të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave dhe Planit të Veprimit për vitin 2025, të orientuara drejt mirëadministrimit tatimor dhe aksioneve ndaj nëndeklarimit të pagave si dhe vendosja e pagave të referencës në sektorin e turizmit dhe së fundmi edhe në ndërtim.

Të dhënat nga listëpagesat e deklaruara në Administratën Tatimore për 9-mujorin e vitit 2025 tregojnë një rritje të dukshme të numrit të kontribuesve. Gjatë kësaj periudhe rezultojnë rreth 751,520 tatimpagues të regjistruar në listëpagesa, apo 12,616 kontribues më shumë, ose 1.7% rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Në të njëjtën linjë, edhe numri i vendeve të punës ka shënuar rritje. Sipas listëpagesave të deklaruara, në 9-mujorin 2025 rezultojnë rreth 761,362 vende pune, ose 12,457 vende pune më shumë, me rritje prej  +1.7% krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar.

Zgjerimi i bazës së kontribuesve dhe rritja e punësimit formal forcojnë qëndrueshmërinë financiare të skemës së pensioneve, duke krijuar më shumë hapësirë për përballimin e detyrimeve afatgjata dhe përmirësimin e balancave të sistemit të sigurimeve shoqërore.

Po ashtu krijon mundësinë edhe për rritjen e vazhdueshme të pensioneve aktuale, duke përmbushur objektivin e qeverisë që brenda 4 vitesh, pensioni minimal në Shqipëri të jetë 400 euro. 

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, të ardhurat nga kontributet u realizuan në shumën 149.1 miliardë lekë përgjatë 10 mujorit të këtij viti, ose 11.8% më shumë se Janar-Tetor 2024, si dhe me realizim prej 100.2% të planit të periudhës.

Shqipëria 19 Dhjetor Edel Strazimiri

Si është mbyllur kjo javë për valutat e huaja?

Dollari amerikan e ka mbyllur javën pozitivisht duke regjistruar rritje të vlerës nga dita e djeshme teksa është blerë këtë mëngjes me 82 lekë dhe është......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat