Shqipëria Postuar më 19 Nëntor 2025, 12:03

“Pensionet, kryefjala e buxhetit” - Rama: 1.7 miliardë euro shpërndahen për 4 vjet, rriten pagat

Nga Elisabeta Dosku

“Pensionet, kryefjala e buxhetit” - Rama: 1.7 miliardë euro

Pensionistët do të jenë kryefjala e buxhetit të shtetit për vitin 2026, i cili konsiderohet si historik. Kryeministri Edi Rama prezantoi shtyllat kryesore të projektbuxhetin nga foltorja e Kuvendit, ku theksoi se janë 1.7 miliardë euro të cilat në 4 vite do të shpërndahen për mbi 721 mijë pensionistë. Sipas kryeministrit, një vëmendje më e madhe i është kushtuar edhe mbrojtjes sociale.

“Ky është një buxhet histori për PS pasi angazhon 1.7 miliardë euro rritjen për pensionistët në buxhet afatmesëm, dhe e mira e kësaj pune është se faktet mbeten dhe fjalët i merr era. Dhe ata që dëgjojnë njerëzit mund ti vërtetojnë. Sa më shumë të thuhet që ne nuk po rrisim pensionet, aq më shumë pensionistët do të binden që nuk ka asnjë alternativë tjetër në Shqipëri për nipërit e tyre dhe për ta përveç PS., vijojmë me mbrojtjen shoqërore, e cila arrin sot në 257 miliardë lekë ose me një rritje prej 11.6 miliardësh, 116 milionë euro. Kjo shumë për mbrojtjen sociale, është më shumë se sa dyfishi i mbrojtjes që kishin shqiptarët kur ne morëm detyrën. Më tutje, pensionistët janë kryefjala e këtij buxheti dhe do të jenë kryefjala e këtij mandati, por pa harruar edhe ata që vazhdojnë të jenë në skemën e ndihmës ekonomike, PAK dhe pa harruar edhe domosdoshmërinë për një qasje të re dhe një shtysë të re në aspektin e strehimit dhe duke mbetur besnikërisht pranë të gjitha familjeve të reja me vazhdimësinë e bonusit të bebes”.

Kryeministri nënvizoi si risi edhe rritjen e pagës minimale si dhe aplikimin e paketës së paqes fiskale për bizneset.

“Një tjetër zotim i dhënë në pranverë është rritja e pagës minimale cila që prej janarit do të jetë 500 euro dhe do të vazhdojë të rritet brenda mandatit të 4 me objektivin ambicioz që deri në fund të këtij mandati paga minimale në Shqipëri të jetë 700 euro.  U fol këtu për një falje të madhe. Është e vërtetë. Është një falje fiskale që do ti bëhet gjithë sipërmarrjes, duke i dhënë mundësinë që të mbyllë të gjitha çështjet e vjetra dhe duke lehtësuar marrëdhënie me administratën tatimore dhe kostot e tyre administrative, prandaj i ftoj sipërmarrjet të lexojnë me kujdes paketën tonë fiskale dhe ti referohen paqes fiskale”.

Sipas Kryeministrit, përherë të parë gjatë vitit të ardhshëm do të aplikohet edhe indeksimi periodik i pagës çdo dy vjet për administratën publike  si dhe rritja e diferencuar të pagave me qëllim rritjen e standardit të jetesës për familjet shqiptare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat