Shqipëria Postuar më 17 Korrik 2025, 11:08

Pensionet e reja, përcaktohen koeficientët e indeksimit - 9.3% mbi bazën. Kush janë kategoritë që përfitojnë?

Nga Elisabeta Dosku

Pensionet e reja, përcaktohen koeficientët e indeksimit - 9.3% mbi

Qeveria ka miratuar vendimin, që përcakton koeficientet e indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2023 për efekt të llogaritjes së pensioneve, dhe që do të prekë të gjithë qytetarët që përfitojnë të drejtën për pension pas datës 1 janar 2025.

Sipas këtij vendimi, baza e vlerësuar e vitit 2023 do të indeksohet me një koeficient prej 9.3%. Ky indeks do të aplikohet për të llogaritur bazën individuale vjetore, e cila përdoret më pas për të përcaktuar masën fillestare mujore të pensioneve.

Ky indeks do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e bazës mbi të cilën llogaritet pensioni, duke bërë që pensionet fillestare mujore të jenë më të larta për ata që dalin në pension rishtazi.

Ky ndryshim prek vetëm pensionet me datë fillimi nga 1 janari 2025 e në vazhdim. Indeksimi bazohet në kontributet e paguara deri në fund të vitit 2023 dhe ka si qëllim të reflektojë ndryshimet ekonomike përpara se të llogaritet shuma fillestare e pensionit.

Vendimi përcakton gjithashtu se, pas aplikimit të këtij indeksi, baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve nuk mund të jetë më e lartë se trefishi i pagës minimale në shkallë vendi për periudhën 1994-2001 dhe se paga maksimale në shkallë vendi për pagat nga viti 2002 e në vazhdim.

Për periudhën 1994–2023, indeksimi do të bëhet sipas pagave të paguara çdo muaj dhe sipas punëve dhe profesioneve të përcaktuara në vendimin nr. 561 të Këshillit të Ministrave të vitit 2005.

Formula aktuale e përcaktimit të pensionit fillestar, e ndryshuar me reformën e vitit 2014, përcakton një pension bazë, i cili është rreth 9.800 lekë  dhe një shtesë mbi të që është 1% për çdo vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar. Ky sistem synon të sigurojë që pensionet të jenë sa më të drejta dhe në përputhje me kontributet e dhëna.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat