Shqipëria Postuar më 18 Shtator 2025, 10:10

Pension mesatar 400 euro/ Programi qeverisës Rama 4: Bonuse sistematike. Luftë informalitetit për rritjen e kontributeve

Nga Ledina Elezi

Pension mesatar 400 euro/ Programi qeverisës Rama 4: Bonuse sistematike.

Gjatë mandatit të katërt, një ndër prioritetet kryesore të qeverisë së Kryeministrit Edi Rama do të jetë rritja e pensioneve, si një detyrim moral dhe ekonomik për një shoqëri të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.

Deri në fund të vitit 2029 synohet që pensioni mesatar të bëhet 400 euro për kontribuesit e plotë dhe pensioni minimal 200 euro, si pjesë e paketës së mbrojtjes sociale.

Në mandatin e parë të Kryeministrit Edi Rama, pensioni mesatar ishte vetëm 86 euro, ndërkohë që në 2024 pensioni mesatar arriti vlerën 175 euro.

Gjatë katër viteve të ardhshme pritet që të krijohet një sistem plotësisht elektronik për sigurimet shoqërore, duke mundësuar shërbime të shpejta dhe të aksesueshme për qytetarët në çdo moment. Pra, në vijim parashikohet të bëhet digjitalizimi i plotë i sistemit të sigurimeve shoqërore me regjistër elektronik, shërbime online end-to-end, për transparencë dhe gjurmueshmëri.

Nga ana tjetër, për të rritur më tej bazën e kontributeve, do të vijojë puna për uljen e informalitetit në tregun e punës përmes nxitjes së deklarimit të pagave reale dhe këshillimit sistematik të punëdhënësve dhe punëmarrësve.

Bonuset do të vijojnë të jepen sistematikisht sipas zhvillimeve ekonomike. Përveç bonusit të fundvitit, për herë të parë në 2024, qeveria dha edhe një bonus të dytë pranvere në 2025.

Gjithashtu, pensionet do të mbulojnë rreth 40% të të ardhurave të fituara gjatë viteve të punës deri në vitin 2030 në përputhje me standardet evropiane dhe të Organizatës Ndërkombëtarë të Punës.

Portabilitet ndërkufitar i përfitimeve është një objektiv tjetër i qeverisë Rama 4, teksa përfshin përfundimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të njohjes së ndërsjellë të pensioneve, siç është ajo e pensioneve me Greqinë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat