Shqipëria Postuar më 19 Dhjetor 2025, 10:39

Pasuritë e sekuestruara/konfiskuara do shiten më shpejt - Pr/ligji për konsultim publik: AAPSK do të kryejë vetë procedurat

Nga Ernilda Luzi

Pasuritë e sekuestruara/konfiskuara do shiten më shpejt - Pr/ligji

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) dhe Kryeadministratori do t’i kryejë vetë procedurat e shitjes për pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara, si dhe lidhjen në vijim të kontratave përkatëse, referuar ligjit për ankandin publik. Në një projektligj nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Brendshme theksohet se, AAPSK ka zhvilluar ndjeshëm kapacitetet e saj institucionale, administrative dhe teknike.

Në kuadër të kësaj rritjeje funksionale, është vlerësuar e arsyeshme që procesi i shitjes së pasurive që agjencia administron, të kryhet tashmë nga vetë institucioni.

“Duke qenë se administrimi i plotë i këtyre pasurive përfshin edhe fazën e shitjes, është e arsyeshme dhe logjike që i njëjti institucion që i menaxhon t’i çojë deri në fund edhe procedurat e shitjes, për të garantuar koherencë, transparencë dhe përgjegjësi të unifikuar në çdo fazë të procesit”, theksohet në projekligj.

Sipas dokumentit, përfshirja e një institucioni të dytë në proces, ka krijuar deri më sot vonesa të ndjeshme në përmbylljen e procedurave të shitjes dhe kalimin e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Kryerja e procesit nga vetë Agjencia do të mundësojë menaxhim më të shpejtë të aseteve, reduktim të burokracive dhe rritje të efikasitetit financiar. Transferimi i funksioneve të shitjes tek Agjencia shmang duplikimin institucional, ul kostot administrative dhe mundëson përdorim më efikas të burimeve njerëzore dhe financiare. Në vend të dy institucioneve që kryejnë veprime të njëpasnjëshme për të njëjtin proces, përgjegjësia përqendrohet në një ent të vetëm.

Njihen shumë praktika ku, agjencitë homologe për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara ushtrojnë vetë proceset e shitjes, si pjesë e zinxhirit të plotë të administrimit. Kjo siguron transparencë, gjurmueshmëri dhe menaxhim profesional të ciklit të plotë të pasurisë nga sekuestrimi, deri në shitje dhe transferim të të ardhurave.

Sipas hartuesve, projektligji vjen si rrjedhojë e reformës gjithëpërfshirëse qoftë për territorin, nga përdorimi eficent i ndërtimeve pa leje të konfiskuara, ashtu edhe për mirëadministrimin e pasurive si monedhat virtuale, të cilat ndikojnë drejtëpërsëdrejti në rritjen e të ardhurave të buxhetit të shtetit e në vijim, të përdorimit të tyre për interes publik dhe social.

 

Shqipëria 19 Dhjetor Edel Strazimiri

Si është mbyllur kjo javë për valutat e huaja?

Dollari amerikan e ka mbyllur javën pozitivisht duke regjistruar rritje të vlerës nga dita e djeshme teksa është blerë këtë mëngjes me 82 lekë dhe është......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat