Shqipëria Postuar më 26 Shkurt 2026, 10:09

“Pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi rritën ekonominë” - Raporti i BERZH: Investimet e huaja direkte arritën nivel rekord në vitin 2025

Nga Dorian Koça

“Pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi rritën

Në raportin më të fundit, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) vlerëson se vitin e kaluar ekonomia e Shqipërisë u rrit me 3,7% e mbështetur nga pasuritë e paluajtshme, ndërtimi dhe shërbimet e teknologjisë së informacionit (TIK). Ndërsa, industria dhe bujqësia u tkurrën për shkak të një monedhe të fortë vendase dhe kërkesës së dobët të jashtme.

Sipas BERZH, konsumi dhe eksportet e shërbimeve kompensuan një rënie në eksportet e mallrave. Llogaria rrjedhëse regjistroi një tepricë të vogël, të mbështetur nga turizmi dhe remitancat, edhe kur deficiti i mallrave u zgjerua.

“Investimet e huaja direkte arritën një nivel rekord në vitin 2025, të përqendruara në pasuri të paluajtshme dhe shërbime financiare. Inflacioni qëndroi në 2.3 përqind në dhjetor 2025, megjithëse inflacioni bazë u rrit për shkak të shtrenjtimit të qirave.

Norma bazë e interesit u ul në 2.5 përqind në korrik 2025 dhe ka mbetur e pandryshuar që atëherë. Ndërkohë, BERZH parashikon se rritja e ekonomisë pritet të qëndrojë afër 3.5% në vitet 2026 dhe 2027, e mbështetur nga reformat që përafrojnë rregulloret me ato në BE dhe investimet e mundshme të financuara nga BE.

Por, në raport, BERZH paralajmëron edhe për rreziqe, siç janë ato klimatike, veçanërisht thatësirat që ndikojnë në prodhimin e energjisë, ndërsa vëren se këto rreziqe zbuten pjesërisht nga një përzierje më e larmishme e burimeve të rinovueshme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat