Shqipëria Postuar më 10 Shtator 2026, 10:18

Pasuritë e konfiskuara - AAPSK, organi unik përgjegjës për administrimin dhe zhvillimin e objekteve

Nga Ernilda Luzi

Pasuritë e konfiskuara - AAPSK, organi unik përgjegjës për

Një ndryshim i rëndësishëm në mënyrën se si shteti administron pasuritë e konfiskuara pritet të vijë përmes një projektligji të ri, i cili synon të centralizojë kompetencat pranë Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK). Sipas relacionit shpjegues, ndarja e kompetencave mes Komisionit të Objekteve të Konfiskuara, ministrisë përgjegjëse dhe njësive të zbatimit ka sjellë vonesa, mbivendosje funksionesh dhe vështirësi në menaxhimin e objekteve.

Projektligji parashikon që AAPSK të jetë organi unik përgjegjës për administrimin dhe zhvillimin e objekteve me status “konfiskuar”. Në kuadër të riorganizimit propozohet edhe shfuqizimi i Komisionit të Objekteve të Konfiskuara. Në vend të strukturave që krijoheshin në mënyrë të ndryshme sipas rastit, parashikohet krijimi i një grupi pune të përhershëm teknik. Sipas qeverisë, kjo do të shmangë përplasjet institucionale dhe do të përcaktojë më qartë përgjegjësinë për çdo fazë të procesit.

Një tjetër ndryshim i propozuar është krijimi i një regjistri transparent dhe publik të objekteve të konfiskuara. Qëllimi është që institucionet, por edhe subjektet e interesuara, të kenë informacion dhe një pikë të qartë referimi për pasuritë që mund të përdoren, zhvillohen, jepen me qira apo shiten. Projektligji synon gjithashtu të lehtësojë procedurat për vlerësimin e objekteve dhe pajisjen me leje zhvillimi e ndërtimi.

Një problem i evidentuar nga zbatimi i legjislacionit aktual lidhet me financimin dhe përfundimin e objekteve të papërfunduara. Për këtë arsye propozohet krijimi i një fondi të veçantë/të dedikuar, përfshirë financimin e ndërtimeve pa leje të konfiskuara. Sipas relacionit, mekanizmi i ri synon të shmangë situatat ku pasuria e konfiskuar mbetet për një kohë të gjatë e papërdorur, duke humbur vlerë për shkak të amortizimit.

Qëllimi përfundimtar është që pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme të rikthehen sa më shpejt në funksion të komunitetit. Kjo mund të realizohet përmes përdorimit institucional ose social, dhënies me qira apo shitjes, në varësi të natyrës dhe potencialit të secilit objekt.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat