Shqipëria Postuar më 23 Mars 2025, 12:00

Pas projektit të Sazanit dhe Zvërnecit, interes nga investitorë të tjerë për Vlorën - Rama: Edhe pista e Aeroportit pritet të përfundojë në maj

Nga Ledina Elezi

Pas projektit të Sazanit dhe Zvërnecit, interes nga investitorë

Kryeministri Edi Rama, si dhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, kanë zhvilluar sot një takim me kryebashkiakët e qyteteve bregdetare dhe operatorët turistikë lidhur me përgatitjet për sezonin veror 2025.

Kumbaro u shpreh se këtë vit janë shtuar stacionet e plazheve publike, ndërsa pritet që ky sezon turistik të jetë më i suksesshëm se ai i vitit të kaluar.

"Ne në shtatorin e kaluar bëmë një ndryshim në rregullat që kanë të bëjnë me menaxhimin e stacioneve të plazhit. Ne bëmë një VKM të re ku i dhamë prioritet plazheve publike. 973 stacione plazhi publike këtë vit, si asnjëherë më parë. Bashkuar kjo me rregullin që në çdo 1 km vijë bregdetare, 300 metra janë publike. Edhe kjo është prapë një risi. Por, për të mos qenë vetëm në anën e interesit publik, i kemi dhënë prioritet edhe bizneseve, strukturave akomoduese. Ka pasur këtë vit 1444 aplikime për stacione plazhi. Stacionet e plazhit nuk mund të jenë biznesi kryesor, biznesi kryesor është turizmi i qëndrueshëm. Plani i masave është gati tashmë për sezonin e ri veror. Po përgatitemi për një sezon që do të jetë më i lartë se çdo sezon tjetër, duke marrë parasysh se vetëm në muajin janar dhe shkurt ka pasur një prurje hyrjesh ndërkombëtare në territor, rreth 15-20% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Kemi të certifikuar 700 udhërrëfyes, guida turistike. Duke shtuar stacionet e plazheve publike, do të ketë edhe një barrë më të madhe për bashkitë. Shtohet përgjegjësia edhe për sa i takon sigurisë në plazhe. Vazhdojnë aplikimet për operatorë turistikë detarë. Në 2024, sezoni turistik veror nuk pati asnjë humbje jete, për shkak të sigurisë".

Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama theksoi se pas projektit të Jared Kushner në Sazan dhe Zvërnec, ka pasur pafund kërkesa nga investitorë të tjerë të huaj për të investuar në Vlorë. Lidhur me Aeroportin e Vlorës, Rama u shpreh se pista pritet të përfundojë brenda muajit maj.

"Kemi ndërtuar një plan të ri dhe një ndarje më të qartë lidhur me plazhet publike që menaxhohen nga bashkitë dhe ata që menaxhohen nga operatorët privatë.

Të krijohet një sistem bashkiak i administrimit ku bashkia vetëm të mos ruajë, por të ofrojë ofertën e vet për shezlloqet dhe çadrat. Bëni hile me deklarimin e netëve të fjetjes. Ju kemi ulur TVSH-në në 6% pikërisht që të deklaroni sa. Nga 10 milionë turistë të huaj që vizituan Shqipërinë në 2023, 3 milionë net-qëndrime të deklaruara. Këtë vit do t'ju japim mundësinë për një paradeklarim. Për periudhën 1 maj-13 shtator, një nivel shfrytëzimi 65% në bazë të dhomave dhe për atë nivel do të paguani detyrimin ndaj bashkive. Pastaj, nga 1 tetori deri në 30 prill, një nivel 20%. Përgatituni se në 2026 do të fusim platformën digjitale e-visitor dhe aty pastaj bëhet e pamundur që të ketë shmangie për të gjithë strukturën hoteliere. Duam të ndërtojmë një infrastrukturë ekstra të parkimeve, parkime nën dhe mbi tokësore përgjatë gjithë vijës bregdetare.

12 milionë turistë ishin vjet, do të shkojmë rreth 13.5 - 14 milionë këtë vit, është shumë për ne.

Përsa i përket policisë, ka ardhur koha që të minimizohet. Zgjidhja është projekti i marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara për monitorimin me kamera inteligjente të të gjithë qyteteve dhe rrugëve, me fokus në zonat turistike. Nuk do të ketë më nevojë për policë. Policia dhe bashkia do të njoftohet në kohë reale përmes inteligjencës artificiale. Edhe hedhja e një mbeturine do të monitorohet. Edhe shkollat do të futen në këtë sistem, për të rritur sigurinë në shkollë.

Brenda majit do të kemi pistën e Aeroportit të Vlorës të përfunduar. Po punohet edhe me terminalet. Kur aeroporti të përfundojë, fluksi do të jetë më i madh.  Projekti i Sazanit dhe Zvërnecit është në proces. Kërkesat për të investuar në Vlorë kanë ardhur nga investitorë shumë të mëdhenj, pas Kushner.

Në Durrës do të zgjerojmë të gjithë vijën e plazhit me 100 metra, do të kemi një spostim të rërës. Do të kemi shumë më tepër plazh publik. Paralelisht me portin turistik, po punojmë edhe për një projekt tjetër shumë të madh. Në Fier kemi një projekt të jashtëzakonshëm me sipërmarrje private. Velipoja është në zhvillim. Ky sezon do të jetë komplet tjetër".

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat