Shqipëria Postuar më 12 Janar 2026, 14:13

Parku Eolik i Tropojës - Balluku i jep kompanisë amerikane CWP certifikatën për ndërtimin

Nga Fabjona Pasho

Parku Eolik i Tropojës - Balluku i jep kompanisë amerikane CWP

Amerikanët do të ndërtojnë parkun eolik 600 megavat në Tropojë. Në ceremoninë ku ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama dhe e ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Tiranë Nancy van Horn, zv/kryeministrja Balluku i dha kompanisë amerikane CWP çertifikatën për ndërtimin e parkut eolik të Tropojës.

Sipas Kryeministrit, parku eolik është dëshmi se Shqipëria po ecën drejt një të ardhmeje energjetike të fortë dhe të qëndrueshme

“Në harkun e 12 muajve, pa llogaritur periudhën kur dimri është intensive, ky park i madh i energjisë së erës në Tropojë, do të hyjë në rrjetin e prodhuesve të energjisë të rinovueshme në vendin tonë. Duke pasur parasysh eksperiencën e kompanisë, rrugëtimin e suksesshëm, ka marshuar në disa vende, përpara se të arrinte në Shqipëri. Unë kam siguri se do të përfitojmë dije të reja dhe vlerë të shtuar në kulturën e punës dhe të veprimit në një sektor kaq strategjik.

Edhe ky investim shkon në atë drejtim strategjik dhe në rrugën e përmbushjes së atij objektivi të madh strategjik për ta bërë Shqipërinë një vend sovran në prodhimin e energjisë. Ne kemi pasur për një periudhë të gjatë një varësi nga uji.

Kur na ka munguar shiu na është dashur të dalim në tregun ndërkombëtar dhe të blejmë sasi të mëdha me çmime të kripura. Koha kur Shqipëria duhet të dalë në treg për të blerë energji po shkon drejt fundit”.

Parku Eolik i Tropojës - Balluku i jep kompanisë amerikane CWP

Në fjalën e saj, zëvëndëskryeministrja dhe njëkohësisht ministrja e Energjisë Belinda Balluku tha se ky projekt nuk është një rastësi por rezultat i politikave të studiuara dhe strategjisë së ndjekur.

“Shqipëria po hyn në fazën e realizimit të projekteve konkrete, nëpërmjet projektit të kompanisë amerikane CWP, me kapacitet të pritshëm për t’u instaluar 600 MW. Kjo nuk është një rastësi. Nuk është një rezultat i një politike të pa studiuar. Vjen në bazë të një strategjie. Dua të përgëzoj CWP për të gjithë intensitetin me të cilin ka punuar, për bashkëpunimin që ka pasur me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe padyshim edhe për vështirësitë që ka hasur gjatë punës, pasi duhet thënë që parqet eolike kanë një vështirësi më të madhe gjatë studimit dhe padyshim gjatë ndërtimit të tyre, qoftë kjo për shkak të zonave, korridoret e erës në Shqipëri ndodhen mbi lartësinë 120 metra. Pra, flasim për zona kryesisht kodrinore dhe malore. Por nga ana tjetër duhet pasur parasysh që për të ndërtuar një projekt të tillë ka nevojë për një kohë ngjizje që për ju quhet koha e studimit 4 stinore, ose ndryshe 12 muaj. Pra janë projekte të cilat kërkojnë një kohë të gjatë implementimi, studimi, por nga ana tjetër sigurisht pasi ato ndërtohen ashtu siç duhet dhe me të gjithë studimet e duhura kanë impakt të jashtëzakonshëm në energjinë, dhe si rrjedhojë në ekonominë e një vendi”, tha Balluku.

Në fjalën e saj, zv/kryeministrja u shpreh se, vetëm në kohët e fundit, mbi 1.5 mld euro investime private janë në proces në sektorin e energjisë. Zëvëndëskryeministrja tha se nuk po ndërtohen thjesht projekte për të sotmen por themelet e një sistemi energjetik që do t’u shërbejë dekadave që do të vijnë në një sistem që vendos në qendër qëndrueshmërinë dhe afron Shqipërinë çdo ditë e më shumë me objektivat evropiane.

“Gjatë këtyre viteve, në tërësi janë angazhuar mbi 2 mld euro të investuara. Kemi një portofol projektesh që do çojë kapacitetet më tej se 1500mgë/h. Në energjinë e erës për herë të parë, po hyjmë në fazën e realizimit të projekteve konkrete me kapacitet të pritshëm 600 mgW/h. Parqet eolike kanë një vështirësi më të madhe gjatë studimit dhe ndërtimit të tyre. I gjithë ky diversifikim na bën më të qendrueshëm ndaj ndryshimeve klimatike. Këto investime private kanë një impakt të drejtëpërdrejtë në sektorin energjetik, ulin varësinë nga importi, janë investime që krijojnë vende punë, rrisin të ardhurat dhe fuqizojnë ekonominë lokale”.

Aktualisht, Shqipëria po investon në linjat e transmetimit, që lidhen me të gjithë fqinjët tanë. Është përfunduar thuajse e gjithë linja që shkon deri në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëria është një nga vendet më mirë të lidhura në sistemin e transmetimit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat