Shqipëria Postuar më 30 Dhjetor 2025, 10:05

Paralajmërim për fushatë phishing në “WhatsApp” - Policia e Shtetit: Mesazhe si kërkesë për votim për çmimin e parë të një burse falas

Nga Ernilda Luzi

Paralajmërim për fushatë phishing në “WhatsApp”

Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit paralajmëron qytetarët për qarkullimin e një fushate mashtruese (phishing) në platformën “WhatsApp”. Këto mesazhe paraqiten si kërkesë për votim për çmimin e parë të një burse falas, në favor të një personi të afërt me dërguesin, i cili dyshohet se mund të ketë rënë më parë pre e këtij mashtrimi, duke sjellë më pas përhapjen e mesazhit te kontaktet e tij.

Mesazhet synojnë marrjen e kontrollit të llogarisë në aplikacionin “WhatsApp”, duke i drejtuar përdoruesit drejt faqeve të rreme dhe duke i nxitur të vendosin kode verifikimi, të cilat përdoren nga autorët për të përvetësuar llogarinë.

Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në lidhje të dyshimta, edhe kur mesazhi iu shkon nga kontakte të njohura; të mos japin kode verifikimi, fjalëkalime apo të dhëna personale; të aktivizojnë verifikimin me dy hapa (Two step verification) në aplikacionin “WhatsApp”, si dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë pranë strukturave të Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit po monitoron situatën dhe fton qytetarët të tregojnë kujdes maksimal ndaj mesazheve që ofrojnë votime, çmime apo përfitime të menjëhershme.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat