Shqipëria Postuar më 7 Janar 2026, 11:39

Paraja fizike dominon ekonominë shqiptare - BSH: 467 miliardë lekë cash jashtë bankave. Zgjerohet me 15% brenda një viti

Nga Ledina Elezi

Paraja fizike dominon ekonominë shqiptare - BSH: 467 miliardë

Rreth 467 miliardë lekë qarkullojnë çdo ditë në duart e shqiptarëve. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, paraja jashtë bankave u rrit me thuajse 1% në nëntor 2025, duke e vazhduar trajektoren e saj ngjitëse deri në fund të vitit.

Nëse bëjmë një krahasim me nëntorin e vitit të kaluar, paraja fizike që qarkullon jashtë sistemit bankar ka pësuar një rritje rekord prej 15%. Nga 405 miliardë lekë që ishte në nëntor 2024, kjo shumë rezulton të jetë shtuar me 61.5 miliardë lekë deri në nëntor 2025.

Duke nisur nga ky vit e deri në 2030, qeveria synon zvogëlimin e pagesave me para në dorë në ekonomi dhe rritjen e pagesave elektronike. Shifrat që sapo interpretuam tregojnë se paraja fizike vijon të jetë shumë e pranishme mes qytetarëve dhe bizneseve shqiptare, duke u përdorur gjerësisht si mjet pagese për blerje produtesh apo shërbimesh, ndërsa kartat bankare vijojnë të jenë në rritje, por përdorimi i tyre mbetet më i kufizuar.

Kultura jonë e kryerjes së pagesave me para në dorë, mosinstalimi i terminaleve POS në të gjitha pikat e shitjes me pakicë për shkak të komisioneve të larta që aplikohen nga bankat, niveli i ekonomisë informale, paraja nga burime të paligjshme, janë vetëm disa nga faktorët që kontribuojnë në këtë sasi të madhe të parasë fizike që gjendet jashtë sistemit bankar.   

Nëse do ishte e kundërta, pra më shumë para të qarkullonin brenda bankave, do të kishte më tepër transparencë të transaksioneve financiare midis qytetarëve dhe bizneseve. Veprimet me para fizike nuk lënë gjurmë. Kur pagesat bëhen jashtë bankave nuk ka regjistrime elektronike, nuk ka histori transaksionesh dhe është e vështirë të kontrollohet origjina e parave.

Nga ana tjetër, një nivel i lartë i parasë jashtë bankave favorizon korrupsionin dhe aktivitetet e paligjshme, cash-i përdoret më lehtë për ryshfete, pastrim parash dhe transaksione të paligjshme.

Sa më e lartë paraja jashtë bankave, aq më e ulët transparenca ekonomike dhe fiskale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat