Shqipëria Postuar më 12 Dhjetor 2025, 11:48

Paraja e shqiptarëve zhvendoset drejt titujve të shtetit - AMF: Fondet e investimeve numërojnë 41 mijë anëtarë. Asetet neto rriten me 11%

Nga Ledina Elezi

Paraja e shqiptarëve zhvendoset drejt titujve të shtetit - AMF: Fondet

Gjatë këtij viti, shqiptarët kanë investuar më shumë para në tituj qeveritarë përmes fondeve të investimit sesa në 2024.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, deri në fund të shtatorit, fondet e investimeve numëronin mbi 41 mijë anëtarë, rreth 10% më shumë se në 2024.

Nga statistikat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare rezulton se vlera neto e aseteve të tregut, arriti në rreth 68 miliardë lekë ose 704 milionë euro, me një rritje prej 6.7 milionë lekë ose 11%, krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

Megjithatë, nëse bëjmë një krahasim ndërmjet tremujorëve, vërejmë se ka luhatje dhe rënie.

Fondet mund t'i investojnë paratë e anëtarëve të tyre në aksione, tituj qeveritarë, bono thesari dhe obligacione qeveritare, obligacione të shoqërive brenda ose jashtë vendit, mjete monetare dhe asete të tjera. Në periudhën korrik-shtator të 2025, investimet në këtë treg u dominuan kryesisht nga investimet në tituj qeveritarë, pra bono thesari dhe obligacione, të cilat përbëjnë 81.21% dhe ndërkohë 6.24% janë investime në tregjet financiare ndërkombëtare. Nga kjo kuptojmë se pjesa më e madhe e investitorëve është e përqendruar te fonde që ndërmarrin një risk të ulët, pra tek ato që investojnë kryesisht në bono dhe obligacione të shtetit shqiptar dhe më pak në fonde që investojnë në aksione jashtë vendit.

Në Shqipëri operojnë gjithsej 16 fonde të investimit, të cilat administrohen nga vetëm 6 shoqëri. Shumica e këtyre fondeve menaxhohen nga kompanitë e sigurimit dhe bankat tregtare, ku këto të fundit kanë në zotërim më shumë se një lloj fondi.

Qytetarët që nuk kanë njohuri të mjaftueshme se si mund të investojnë individualisht në bono thesari dhe obligacione ose nuk duan të përfshihen drejtpërsëdrejti në këtë proces, i drejtohen zakonisht fondeve të investimit, të cilat i investojnë paratë e klientëve të tyre në tituj shtetërorë dhe garantojnë një kthim fitimi.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat