Shqipëria Postuar më 15 Maj 2026, 10:14

 “Paqja Fiskale”, qeveria miraton procedurat - Bizneset me xhiro mbi 14 milionë lekë aplikim në e-Filing

Nga Diamila Leka

 “Paqja Fiskale”, qeveria miraton procedurat - Bizneset me

Bizneset me xhiro mbi 14 milionë lekë në vit do të mund të aplikojnë për marrëveshjen e paqes fiskale përmes sistemit elektronik e-Filing. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Financave, aplikimi duhet të kryhet brenda datës 31 mars të çdo viti, ndërsa për vitin e parë të zbatimit, 2026, afatet do të përcaktohen me një udhëzim të posaçëm nga Drejtoria e Tatimeve.

Për të përfituar nga marrëveshja, subjektet nuk duhet të kenë detyrime tatimore të papaguara apo të padeklaruara dhe duhet të plotësojnë një sërë kriteresh ligjore, përfshirë mungesën e procedimeve penale për vepra në fushën e tatimeve apo pastrimit të parave.

Administrata tatimore do të verifikojë gjithashtu nëse subjekti është nën hetim ose nëse realizon projekte koncesionare. Në rast se plotësohen kushtet, sistemi do të gjenerojë automatikisht draftmarrëveshjen e paqes fiskale.

Dokumenti parashikon që fitimi i tatueshëm të llogaritet me një rritje prej 18% krahasuar me vitin paraardhës, mbi të cilin do të aplikohen këstet paraprake të tatimit. Subjektet do të kenë gjithashtu mundësi të rideklarojnë elemente të pasqyrave financiare pa penalitete administrative.

Gjatë periudhës së vlefshmërisë së marrëveshjes, bizneset nuk do t’i nënshtrohen kontrolleve tatimore për tatimin mbi fitimin, përveç rasteve kur ka dyshime për skema mashtruese me TVSH apo fshehje të të ardhurave.

Megjithatë, marrëveshja humbet vlefshmërinë nëse biznesi nuk realizon rritjen minimale prej 18% të fitimit, ndryshon aktivitetin ekonomik, nuk paguan këstet në afat apo kryen shkelje të përsëritura tatimore. Në rast pavlefshmërie apo deklarimesh të rreme, administrata tatimore do të rivlerësojë detyrimet dhe do të aplikojë interesat dhe penalitetet sipas legjislacionit në fuqi.

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat