Shqipëria Postuar më 19 Nëntor 2025, 13:29

“Paketa Fiskale, shansi i fundit për debitorët” - Malaj: Nuk është amnisti. Mbyllim kapitullin e borxheve të vjetra të parashkruara

Nga Ledina Elezi

“Paketa Fiskale, shansi i fundit për debitorët” - Malaj:

Me projektligjin e faljes së detyrimeve tatimore dhe doganore mbyllim kapitullin e borxheve të vjetra të parashkruara. Kështu është shprehur Ministri i Financave Petrit Malaj gjatë seancës plenare për shqyrtimin e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2026”, i cili theksoi edhe njëherë se Paketa Fiskale nuk parashikon asnjë rritje taksash, ndërsa garanton një kuadër fiskal transparent.

“Dy projektligjet më të rëndësishëm janë projektligji për marrëveshjen e paqes dhe projektligji për faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore. Ne nuk po ndërmarrim një Amnisti. Nëpërmjet “Paqes Fiskale’’, nuk falim asnjë përgjegjësi penale. Nuk garantojmë imunitet për askënd dhe mbi të gjitha nuk i shërbejmë askujt që është nën hetim apo në procese gjyqësore.  Gjithashtu, me projektligjin e faljes së detyrimeve tatimore dhe doganore mbyllim kapitullin e borxheve të vjetra të parashkruara. Marrëveshja e Paqes Fiskale, e cila do të zbatohet për periudhën 2026-2028, synon korrigjimin dhe rritjen e deklarimeve të rregullta për bizneset që duan të përfshihen në këtë marrëveshje vullnetare”, tha Ministri.

Paketa Fiskale është hartuar sipas të njëjtit model që është zbatuar në Itali në vitin 2018. Sipas Malajt, projektligji i faljes së detyrimeve tatimore dhe doganore është shansi i fundit që ata iu japin debitorëve.

“Projektligji i faljes së detyrimeve tatimore dhe doganore, parashikon fshirjen plotësisht të çdo borxhi që është më i vjetër se 10 vjet. Për borxhet me vjetërsi 5 – 10 vjet ofrohet mundësia që, duke marrë në konsideratë edhe gjendjen financiare, kundrejt një pagese të detyrimit tatimor në masën 50% ose në masën 75%, biznesit do, t’i falet pjesa tjetër e borxhit, si dhe gjobat e kamatvonesat; ndërsa për borxhet me vjetërsi nga 0 deri në 5 vjet, do të fshihen gjobat e kamatvonesat, kundrejt pagimit 100% të detyrimit tatimor. (pagesa brenda 31/12/2026). Ritheksoj edhe një herë se me këtë projektligj, ne nuk parashikojmë të falim detyrimet e papaguara të evazorëve që janë në ndjekje penale, ndaj atyre të cilëve ka nisur një hetim tatimor, apo për bizneset që ka një vendim të formës së prerë nga gjykatat. Ndaj ky është shansi i fundit që ne ju japim debitorëve, përpara se sa të hyjnë në fuqi masat shtrënguese për vjeljen e detyrimeve tatimore”, tha Malaj.

Paketa Fiskale përfshin për herë të parë skemën e kompensimit të TVSH. Fermeri do të të kompensohet me një normë prej 10% të vlerës së faturave të shitjes së mallit të tij te grumbulluesi, përpunuesi dhe/apo te agrobiznesi.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat