Shqipëria Postuar më 20 Prill 2026, 19:02

Paketa e Maleve, Rama: Potenciali i Shqipërisë për të ardhura nga turizmi, ende shumë i pashfrytëzuar

Nga SCAN TV

Paketa e Maleve, Rama: Potenciali i Shqipërisë për të

Kryeministri Rama zhvilloi një takim informues me sipërmarrës të agroturizmit, në kuadër të angazhimit të qeverisë për të mbështetur zhvillimin e këtij sektori strategjik, ku u prezantuan instrumentet ekzistuese dhe programet e reja që do të vihen së shpejti në dispozicion të të gjithë atyre që duan të jenë protagonistë në këtë fushë, - me theks të veçantë tek Paketa e Maleve, e cila po shënon një rritje të ndjeshme të interesit dhe aplikimeve në të gjithë territorin e vendit.

Kryeministri theksoi se agroturizmi mbetet një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe të turizmit të qëndrueshëm, ndërsa nënvizoi se mbështetja e qeverisë do të vijojë të zgjerohet përmes programeve të reja, përfshirë edhe iniciativën “Dyfisho ndërmarrjen tënde”, e cila synon të fuqizojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në këtë fushë.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua Paketës së Maleve, që iu mundëson qytetarëve të investojnë në tokat e tyre edhe në mungesë të titujve të pronësisë, përmes një procesi të thjeshtuar dhe të garantuar nga shteti. Kryeministri qartësoi se kjo paketë nuk është e orientuar drejt investitorëve të mëdhenj, por është krijuar posaçërisht për familjet dhe sipërmarrësit e vegjël që duan të zhvillojnë pronat e trashëguara.

 

* * *

Pjesë nga fjala e kryeministri Edi Rama

 

Programi i ri kombëtar që ne po përgatisim, i cili do të lançohet së shpejti, besoj që në fund të muajit do të kemi marrëveshjen mes Bankës së Shqipërisë, bankave të nivelit të dytë dhe qeverisë për një linjë financim të mbështetur nga qeveria shqiptare për të mbështetur çdo projekt të kujtdo që ka një ndërmarrje të vogël ose të mesme dhe ka ambicien që ta rrisë atë. 

E kemi quajtur programin “Dyfisho ndërmarrjen tënde”, por nuk do të thotë që duhet të jetë patjetër dyfish, mund të jetë dhe 50%, mund të jetë edhe trefish varet nga projekti.

Ky program do të mbështetet nga një linjë e drejtpërdrejtë kredie e Bankës së Shqipërisë, e cila do të përpunohet nga bankat e nivelit të dytë në bazë të aplikimeve, do të garantohet nga qeveria shqiptare me një garanci sovrane dhe nga ana tjetër, do të ketë një interes të kredisë më të ulët sesa kreditë komerciale, kjo kuptohet, plus që do të ketë një limit deri në 2 milion euro. 

Nuk do të jetë e mundur të aksesohet nga kompanitë e mëdha, por do të aksesohet nga Startup-et, nga siç thashë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, punishtet dhe patjetër edhe nga agroturizmat që do të duhen të rriten.

Tani natyrisht kur flasim për rritje të agroturizmit unë nuk kam parasysh thjesht rritjen e numrit të dhomave ose të masës së volumit të ndërtimit në territorin ku është agroturizmi. Rritja e agroturizmit është edhe zgjerim i kapaciteteve të veta prodhuese dhe përpunuese jashtë kufijve të vetë.

Pra, një agroturizëm mund të ketë një vresht diku, mund të ketë një fermë diku, mund të ketë një baxho diku, mund të ketë një punishte reçeli diku, jo domosdoshmërish në atë territor dhe nëse e ka një të tillë apo nëse do që ta ketë një të tillë, atëherë kjo është plotësisht e mjaftueshme për t'ju qasur programit. 

Besoj që programi vjen në kohën e duhur.

Unë kam pasur shumë komunikime dhe shumë të vlefshme me themelues të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që prodhojnë, se këtu flasim për prodhim, flasim për agropërpunim, flasim për eksport dhe natyrisht ju e dini më mirë se unë që turizmi hyn tek eksporti dhe agroturizmi hyn tek eksporti, kështu që ky do të jetë destinacioni i këtij programi. 

Nga ana tjetër, sigurisht është Paketa e Maleve.

Unë besoj që ë gjithsecili prej jush dhe gjithsecila prej jush se këtu ka dhe disa gra që janë protagoniste të këtij transformimi që i ka ndodhur industrisë tonë turistike përmes futjes së agroturizmit. Gjithsecili mund të dojë që të ketë një rrjet agroturizmash, jo thjesht një agroturizëm, por një rrjet agroturizmash dhe për këtë shërben edhe Paketa e Maleve. Kuptohet që paketa e maleve ndryshe nga çfarë është keqtrajtuar apo është deformuar në kanalet e informacionit nuk është një paketë për kompanitë e mëdha, nuk është një paketë për investitorët e mëdhenj, nuk ka lidhje fare me këto kategori dhe aq më pak është një paketë për të dhënë territore, troje publike për zhvillime private. Nuk është fare ky qëllimi i paketës, nuk është fare ky objekti i paketës. 

Paketa e Maleve ka lindur nga nevoja për t'i dhënë drejtim një problemi shumë të madh që e ka origjinën e vet shumë larg në kohë tanimë, tek ligji 7501 dhe tek konflikti me këtë ligj i shumë familjeve në zona të caktuara të vendit, kryesisht në veri dhe verilindje, por edhe në zona të tjera që nuk e kanë njohur 7501-shin, si një instrument të vlefshëm për tokën e tyre, që nuk kanë marrë mbi 7501-shin, asnjë lloj certifikate të përdorimit të tokës dhe që e kanë rindarë tokën menjëherë pas ndryshimit të regjimit mbi bazën e kufijve të vjetër dhe nuk kanë probleme me njëri-tjetrin. 

Pra problemi i trashëguar është që këta njerëz e kanë të pamundur të kenë akses në financa dhe e kanë të pamundur që të ndërtojnë në mënyrë të ligjshme, sepse nuk kanë një titull pronësie.

Ne e bëmë një përpjekje për ta adresuar këtë problem me një ligj të ri që quhet 20/20, ligji për të cilin u desh shumë kohë sepse kishte, ju e dini besoj që po more një jurist ke marrë një mendje, po more dy ke marrë dy mendje, po more të tretin pastaj s'ke marrë asnjë mendje se bëhen tre mendje dhe s'merret vesh më njeri.

Po faktikisht ligji, u desh shumë kohë që të formulohej dhe nuk na e dha atë efekt që do të duhej të jepte, sepse prezumon dakordësinë me shkrim të shumë, të gjithë atyre rreth rrotull, të cilët rezultuan nga të gjithë përpjekjet që, jo vetëm janë nëpër vende të ndryshme të botës. Shkurt muhabeti nuk funksionoi për aq sa ne prisnim dhe për këtë arsye lindi Paketa e Maleve. Çfarë do thotë kjo? Do të thotë që shumë shqiptarë që janë në emigracion apo që janë në qytet kanë toka, kanë shtëpi të vjetra, të cilat duan t'i zhvillojnë, po s'kanë asnjë mundësi t'i zhvillojnë sepse edhe sikur të kenë paratë nuk marrin dot leje se s'kanë titullin e pronësisë. 

Me ligjin e ri që quhet Paketa e Maleve, kjo bëhet e mundur duke aplikuar drejtpërdrejt, duke shprehur interesin pranë bashkisë edhe duke thënë: “Kjo tokë këtu është e imja”. Bashkia e merr këtë shprehje interesi, afishon një listë për 45 ditë ku dhe e bën publike që cilido që e pretendon të kundërtën dhe  mendon të kundërtën dhe e përsëris, kjo bazohet shumë tek fakti që këtu ligji i shërben atyre që janë në toka të të parëve që s'kanë konflikte dhe ka shumë të tilla sidomos në zonat që ne i kemi studiuar dhe me të cilët kemi bërë dhe shumë biseda intensive. 

Në 45 ditë duhet të vijë një kundërshti e argumentuar, nëse s'vjen, lista kalon në Këshillin Bashkiak. Këshilli bashkiak e miraton dhe personi e çon aplikimin. Ky miratim vlen vetëm për këtë gjë. Vlen vetëm për të aplikuar, për të marrë leje për një projekt, nuk vlen për gjë tjetër fare. As nuk mund ta marrësh tokën ta shesësh, as nuk mund ta japësh me qira, asgjë fare. As nuk merr titull pronësie. Nuk merr titull pronësie akoma. Po shkon në instancën përkatëse, aplikon me projektin dhe thua: Ky është projekti që dua të ndërtoj. 

Miratohet projekti dhe ti ndërton. Vetëm pasi ti ke përfunduar ndërtimin, jo përpara, ti merr titullin e pronësisë mbi atë ndërtim dhe mbi atë investim, duhet ta mbarosh.

Nuk mund ta marrësh peng tokën, se praktikisht e ke kot se peng e ke njëkohësisht se e ke tokën nuk e përdor dot. Po nuk mund të gëzosh një titull pronësie pa e investuar atë tokë dhe ligji parashikon që në çdo rast kur në një kohë x shfaqet dikush tjetër me pretendimin që është pronari, shkon në gjyq fiton me atë, nuk merresh ti, merret shteti. I takon shtetit pastaj që ta kompensojë personin, i cili mund të shfaqet si pretendent i kësaj prone.

Kjo është trajektorja që ndjek kjo paketë edhe është shumë pro biznes, është shumë e favorshme dhe është absolutisht e bazuar tek e drejta e trashëguar e pronës. Nuk është absolutisht e bazuar tek “hajde, se kemi Paketën e Maleve të japim ca toka në mal” se nuk kemi nevojë ta bëjmë këtë gjë, nuk është fare ky qëllimi e tjerë, e tjerë.

Kështu që, kush ka dëgjuar që kjo bëhet për t'ia dhënë atyre kulakëve, se “oligark” është transplantimi i kulakut në zhargonin demokratik dhe këtë transplantim e kanë bërë dhe e përdorin ata që thonë se kanë luftuar komunizmin, por ato mbetje toksike të komunizmit i kanë kokë. Edhe kush është armiku i popullit? Kulaku! Kulak nuk e themi dot, shpikim oligarkun. Fjala “oligark” nuk ka lidhje fare me realitetin shqiptar. Në Shqipëri nuk ka oligark që të jemi të qartë, se oligarku është dikush që vendos, nuk është dikush që bën biznes edhe përfiton dhe ky projekt, ky program është thjeshtë dhe vetëm për ata që duan të zhvillojnë tokën e tyre, duan të rindezin oxhakun në shtëpinë e gjyshërve të tyre, duan të ndërtojnë një fermë, duan të ndërtojnë një agrobiznes, duan të ndërtojmë një pikë agropërpunimi në fshat dhe do të kenë të gjithë mbështetjen tonë. 

Këto të dyja besoj që janë të rëndësishme për pjesën tuaj, ndërkohë që, për të gjithë pjesën tjetër unë do thosha që është shumë e rëndësishme të vetëdijesohet e gjithë industria e turizmit që ajo që duket sikur ka arritur në majë vetëm sa ka filluar.

Potenciali i Shqipërisë është i jashtëzakonshëm, është ende shumë i pashfrytëzuar dhe mundësia që Shqipëria të nxjerrë shumë më tepër të ardhura nga turizmi është shumë e madhe dhe kur të them të nxjerr shumë më tepër të ardhur nga turizmi, nuk kam parasysh që të vijnë këtu 35 milionë turistë sepse nuk na duhen. Ne nuk na duhet të bëhemi një destinacion i mbingarkuar i turizmit të masës që është një turizëm që sjell shumë njerëz, por që nuk janë konsumatorë të lartë, janë konsumatorë të ulët, në kuptimin konsumojnë pak dhe ne duhet të synojmë ata që konsumojnë shumë dhe agroturizmat mund të bëhen si të thuash transformuesit edhe në këtë drejtim, duke rritur cilësinë e shërbimit në radhë të parë, duke mbajtur një ekuilibër me çmimet, e dyta. 

Shumëkush në industrinë e turizmit sot në Shqipëri nuk e kupton të paktën po të shohësh listën e çmimeve. Nuk është nuk është se unë po ju vënë në diskutim inteligjencën, por po të shikosh listën e çmimeve në shumë pika në Shqipëri, duke filluar nga Vlora që është që është fenomen në këtë rast dhe shikon investimin, ti mendon që ky njeriu që ka bërë gjithë investimin nuk e kupton se çfarë i bën investimit të vet me listën e çmimeve që të vë përpara. I ndërpret të ardhmen duke bërë lista, menura ose tabelën e çmimeve të dhomave me atë urinë për të fituar sot edhe atë që do fitosh nesër, faktikisht ti bën varrmihësin e investimit tënd. Është një tragjedi që i ka ndodhur, jo pak vendeve nga e cila duhet mësuar. Nëse ti investon në një restorant me kashtë edhe se ke problem shumën që ke investuar, ti mund ta bësh këtë lojë edhe fiton ç’ke për të fituar sot, edhe nesër, dhe pasnesër pastaj kur s'të vjen më njeri, e lë kashtën aty dhe ikën. Po nëse ti bën investime me miliona euro, me dhjetëra miliona euro për hotele, për agroturizma, ku di unë dhe je i vetëdijshëm që këto investime duan shumë para në fillim dhe pastaj atë kthimin e kanë të ngadaltë, po të qëndrueshëm, atëherë ti duhet të mendosh strategjikisht që ta marrësh mbrapsht atë që ke investuar dhe të fitosh mbi atë që ke investuar hap pas hapi, pas hapi, pas hapi.

 

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat