Shqipëria Postuar më 26 Nëntor 2025, 11:44

“Paketa e fertilitetit”, nga buxheti te fatura - Programi publik lehtëson barrën për çiftet që kryejnë IVF

Nga Fabjona Pasho

“Paketa e fertilitetit”, nga buxheti te fatura - Programi publik

Qeveria ka planifikuar që përgjatë viteve 2026–2028, “paketa e fertilitetit” të vazhdojë me fond rreth 37.5 milionë lekë në vit dhe objektiv rreth 200 çifte përfituese në vit. Synimi i programit është të ulë barrën financiare për çiftet dhe të rrisë aksesin në një shërbim që në privat mbetet i shtrenjtë dhe shpesh kërkon më shumë se një tentativë.

Në terma mesatarë buxhetorë, mbështetja“në letër del rreth 187.5 mijë lekë për çift, por të dhënat e monitorimit për vitin 2024 tregojnë se kostoja faktike për njësi ka rezultuar rreth 326,971 lekë për çift, me 30 çifte dhe rreth 9.8 milionë lekë shpenzime faktike.

Krahasuar me tregun privat, diferenca është e madhe. Kostoja e një cikli fertilizimi in vitro në Shqipëri shkon rreth 4–5 mijë euro, bashkë me analizat dhe medikamentet, dhe nëse procedura përsëritet, paguhet sërish. Vetëm medikamentet e stimulimit mund të variojnë gjerësisht. Praktikisht, për një çift që ka nevojë për 2–3 tentativa, barra financiare në privat mund të shkojë në dhjetëra mijëra euro, ndërsa programi publik synon ta ulë këtë barrierë për një numër të kufizuar përfituesish.

Nga ana e përfitimit social, programi krijon akses për çifte që përndryshe nuk do ta përballonin dot koston, por filtron edhe përmes kritereve, si mosha e gruas, që nuk duhet të kalojë 42 vjeç, si edhe kërkesa mjekësore për rezervën ovariale, parametrat e spermogramës, BMI etj., si pjesë e mekanizmit të referimit. Kjo e bën programin më të targetuar, me qëllim rritjen e shanseve të suksesit dhe përdorimin më eficient të fondeve.

Sa i takon rezultateve, bëhet fjalë për mbi 160 përfitues dhe norma suksesi të shtatzënive që variojnë nga 42% në 55%. Ndikimi kryesor për përfituesit mbetet kursimi i kostos së ciklit dhe reduktimi i pabarazisë së aksesit, veçanërisht për çiftet që nuk kanë mundësi ekonomike ta realizojnë procedurën në klinikat private.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat