Shqipëria Postuar më 17 Korrik 2025, 13:04

Pajisjet ushtarake, ku dhe si do i blejë Shqipëria? - Furnizim i Forcave të Armatosura nga KAYO. Marrëveshje edhe me shtete të tjera

Nga Ledina Elezi

Pajisjet ushtarake, ku dhe si do i blejë Shqipëria? - Furnizim i

Qeveria ka vendosur të bëjë disa ndryshime në lidhjen e kontratave për blerjen e pajisjeve ose mjeteve ushtarake, si dhe për blerjen e armëve, municioneve apo materialeve luftarake për qëllime operacionale.

Në kuadër të ringritjes së industrisë ushtarake, gjatë vitit të kaluar u vendos krijimi i kompanisë shtetërore KAYO për prodhimin dhe tregtimin e armëve, të  municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake.

Si rrjedhojë, në vendimin e saj më të fundit, qeveria ka përcaktuar blerjen e pajisjeve ushtarake nga KAYO. Konkretisht, në vendim shprehen rastet e mundshme të autorizimit të shoqërive aksionare me kapital shtetëror për furnizimin e Forcave të Armatosura me armë, municione, pajisje dhe teknologji ushtarake.

Në rastet kur shoqëria me kapital shtetëror ka të paktën 50% të kapaciteteve të vlerësuara si të nevojshme për realizimin e objektit të kontratës, Ministria e Mbrojtjes mund të blejë drejtpërdrejt nga ajo shoqëri. Pra, lehtësohet procesi i blerjes së pajisjeve nga kompani shtetërore, duke shmangur procedura të tjera tenderimi, por duke plotësuar disa kushte.

Mënyra e pagesës, përfshirë parapagimin  apo vënia e fondeve në dispozicion të furnizuesit nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, do të negociohen. Nëse nuk ka një autorizim të drejtpërdrejtë, Ministria e Mbrojtjes kryen dialog negociues me shoqërinë aksionare shtetërore për të gjitha llojet e veprimtarisë që kjo shoqëri mund të realizojë.

Nga procedura e përzgjedhjes së fituesve të kontratave për prokurime, do të shkualifikohet çdo operator ekonomik apo bashkim operatorësh që  ka qenë i dënuar me vendim penal të formës së prerë për disa vepra, që ka falimentuar, është në likuidim e të tjera.

Në vendim detajohet edhe blerja e pajisjeve ushtarake nga shtete të tjera. Procedurat “shtet me shtet” mund të realizohen drejtpërdrejt ose nëpërmjet dhënies së autorizimit me një vend partner të NATO-s ose një agjencie të tyre bazuar në një marrëveshje qeveritare.

Për herë të parë theksohet se blerja e pajisjeve ushtarake mund të realizohet edhe me vende partnere të Shqipërisë ose një agjencie të tyre, pra jo vetëm të NATO-s, por vetëm pas miratimit paraprak të Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë ose bazuar në një marrëveshje qeveritare.

Live TV

Të fundit
30 Nëntor

...

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

30 Nëntor

...