Shqipëria Postuar më 30 Maj 2025, 12:54

Paguam 4.6 mld lekë për sigurimin e makinës - AMF: Në 4 muaj, të gjitha produktet përjetuan rritje të primeve

Nga Ledina Elezi

Paguam 4.6 mld lekë për sigurimin e makinës - AMF: Në 4

Të ardhurat e kompanive të sigurimit nga paratë që japin shqiptarët për sigurimin e makinës arritën në 4.6 miliardë lekë në fund të katërmujorit. Të dhënat më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se kompanitë kanë arkëtuar 14.26% më shumë prime se vitin e kaluar.

Shumica e të ardhurave vijnë nga sigurimi MTPL e brendshme, ndërsa sigurimi kufitar dhe ai me karton jeshil zënë një peshë më të vogël.

Konkretisht, sigurimi MTPL e brendshme, pra sigurimi i mjetit motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta në rastet kur i siguruari përfshihet në një aksident dhe është përgjegjës për dëme materiale, pasurore apo shëndetësore, në janar-prill  2025 pati një rritje me gati 14%, duke e çuar kështu totalin e primeve të shkruara bruto në 3.8 miliardë.

Për të gjitha automjetet e regjistruara në Shqipëri të cilat udhëtojnë jashtë vendit, Kartoni Jeshil pati një rritje prej 17.40% të vëllimit të primeve të shkruara bruto dhe të numrit të kontratave me 22.37% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nga 1 shkurti i këtij viti, të gjithë makinat që udhëtojnë drejt Malit të Zi, përfituan zbritje të çmimit të sigurimit për “Karton Jeshil”. Nga 400€ që ishte primi për 1 vit, tani ata paguajnë vetëm 50€, ndërsa primi për 15 ditë vazhdon të jetë 15€.

Ndërkohë, prej 1 prillit, qytetarët shqiptarë fituan edhe mundësinë që të lëvizin drejt Maqedonisë së Veriut me policën e sigurimit “Karton Jeshil” me afat 1-vjeçar, me çmim të reduktuar 50 Euro. Ndërkohë, ka pasur kërkesa që një zbritje e tillë të zbatohet edhe për automjetet që lëvizin drej Greqisë.

Nga ana tjetër, produkti i sigurimit kufitar, për automjetet me targa të huaja që qarkullojnë brenda territorit të Shqipërisë ka pasur një rritje me 6.18% të primeve të shkruara bruto, ndërsa dhe numri i kontratave u rrit me 4.71%.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat