Shqipëria Postuar më 22 Shtator 2025, 14:14

Pagesat elektronike u rritën me ritme dyshifrore/ Banka e Shqipërisë, takim diskutimi me Shoqatën Shqiptare të Bankave

Nga Ledina Elezi

Pagesat elektronike u rritën me ritme dyshifrore/ Banka e

Banka e Shqipërisë ka zhvilluar një takim diskutimi me Bordin Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Guvernatori Gent Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë ka qenë pararojë në revolucionin që po ndryshon mënyrën se si aksesojmë dhe ndërveprojmë me shërbimet financiare. Si autoritet rregullator, nga njëra anë, ajo promovon aktivisht teknologjinë që nxit përdorimin e pagesave digjitale, dhe nga ana tjetër, siguron mbrojtjen e nevojshme për konsumatorin, stabilitetin financiar dhe mbikëqyrjen e subjekteve financiare.

Guvernatori nënvizoi se është bërë një progres i dukshëm si rrjedhojë e masave të marra deri tani nga Banka e Shqipërisë dhe aktorët e tregut, për rritjen e nivelit të përdorimit të pagesave elektronike për frymë.

Përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave është rritur me ritme dyshifrore. Numri i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 23 në vitin 2024, nga vetëm 4 pagesa për frymë në vitin 2016. Gjithashtu, përfshirja financiare - e matur si përqindje e popullsisë që zotëron të paktën një llogari financiare - ka arritur në 78%, nga rreth 40% që ishte në vitin 2017.

Në këtë drejtim, një datë e rëndësishme është 7 tetori 2025, kur do të nisë operacionalizimi i pagesave ndërkufitare në skemat SEPA, të cilat janë disa herë më të lira dhe më të shpejta sesa pagesat ndërkufitare që kryhen sot me bankat korrespondente. Guvernatori shtoi se krijimi i një faciliteti të tillë do të rrisë përdorimin e rrugëve digjitale për pagesat ndërkufitare, të paktën me vende të Bashkimit Evropian, me rrjedhoja pozitive zinxhir për ekonominë shqiptare.

Më tej, Guvernatori Sejko u shpreh se kalimi drejt pagesave digjitale, dhe rrjedhimisht ulja e përdorimit të cash-it, është një proces i dëshiruar për ekonominë shqiptare për disa arsye. Guvernatori shtoi se përshpejtimi i këtij procesi kërkon dhe përmbushjen e disa kushteve: krijimin e infrastrukturave të përshtatshme, aksesin me kosto të arsyeshme tek pagesat digjitale; krijimin e një kuadri rregullator të qartë dhe të rreptë për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së konsumatorit; rritjen e njohurive financiare të publikut; rritjen e aftësive teknologjike të publikut dhe një ndërgjegjësim për avantazhet dhe rreziqet e përdorimit të pagesave digjitale. Ai u bëri thirrje bankave të jenë sa më proaktive në të gjitha këto drejtime.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat