Shqipëria Postuar më 24 Prill 2026, 12:02

Pagat/privati apo shteti, cili e “mban” buxhetin? - Rriten arkëtimet, 494 milionë euro tatim janë “vjelur” në 2025-ën

Nga Elisabeta Dosku

Pagat/privati apo shteti, cili e “mban” buxhetin? - Rriten

Të gjithë të punësuarit në vend në administratën publike apo në sektorin privat, kanë ndarë nga paga e tyre rreth 49.4 miliardë lekë apo 494 milionë euro gjatë vitit 2025, duke i çuar si tatim mbi pagën në buxhetin e shtetit.

Nëse do të analizojmë se nga vilen të ardhurat më të larta, nga të punësuarit në shtet apo privat, të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, tregojnë sektori privat kanë paguar më shumë.

Kjo edhe për arsyen se numri i punonjësve në privat është shumë më i lartë se administrata shtetërore, pavarësisht se paga mesatare në shtet është afro 23 mijë lekë më shumë se ajo që ofrohet nga bizneset.

Konkretisht tatimi i paguar nga punonjësit e administratës mbi pagat arrin në 18.4 miliardë lekë apo 184 milionë euro përgjatë 2025-ës, ndërsa nga të punësuarit në sektorin privat janë derdhur në buxhet afro 31 miliardë lekë apo 310 milionë euro.

Në raport me një vit më parë tatimi i paguar nga sektori publik është rritur me 28 milionë euro apo 17.8 % dhe nga sektori privat 64 milionë euro apo 26.2 për qind.

Në total tatimi mbi pagat ka pësuar një rritje me 94 milionë euro gjatë 2025-es,  ku një faktor i rëndësishëm është rritja e pagave në administratën publike.

Por duket se ndikim thelbësor  ka pasur  reforma antiinformalitet e ndërmarrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila nxiti bizneset me nëndeklarim që të deklaronin pagat reale të punonjësve, duke bërë që të kishte një reflektim të ndjeshëm në rritjen e tyre dhe si rrjedhim të prekeshin nga fasha tatimore, e cila duke qenë progresive, bën që sa më e lartë është paga, aq më i lartë është tatimi i paguar mbi të.  Po ashtu vendosja e pagave indikativë në sektorin e ndërtimit dhe të turizmit,  është reflektuar në rritjen e tatimit të paguar.

Sipas të dhënave të zyrtare të INSTAT, paga mesatare në shtet e kapërceu pragun e 100 mijë lekëve në 2025-ës, duke u fiksuar në 100,280 lekë.

Kjo rritje ka bërë që diferenca me sektorin privat të thellohet me rreth 30 %, pasi paga mesatare në bizneset private, ndonëse në rritje, mbetet në nivelin e 77,155 lekëve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat