Shqipëria Postuar më 11 Nëntor 2025, 10:35

Paga minimale 500 euro, kosto për eksportuesit - Prençe: Masa kompensuese për sektorin, ndikim negativ në konkurrueshmëri

Nga Elisabeta Dosku

Paga minimale 500 euro, kosto për eksportuesit - Prençe: Masa
Rritja e pagës minimale nga qeveria në 500 euro nga 1 Janari 2026, mirëpritet si iniciative nga ana e bizneseve në Shqipëri, por nga ana tjetër shihet si një lëvizje që do të rrisë ndjeshëm kostot. Përfaqësues të sektorit eksportues e vlerësojnë si një hap të domosdoshëm për përmirësimin e mirëqenies së punonjësve, por paralajmërojnë se kjo nismë do ndikojë negativisht në konkurrueshmërinë e tyre.

“Patjetër që është e nevojshme dhe e domosdoshme rritja e pagës minimale, pasi po shohim të gjithë që ka një rritje të kostove dhe të shportës së ushqimeve. Edhe mirëqenia e punonjësve është një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ekonomik të çdo biznesi. Kjo rritje e pagës minimale, për një kompani me rreth 600 punonjës, përkthehet në një kosto shtesë gati 100 mijë euro në vit. Pyetja është: kush do t’i përballojë këto kosto? Qeveria duhet të ndërhyjë me masa kompensuese dhe jo të vendosë bizneset shqiptare në vështirësi edhe më të mëdha”, shprehet Edvin Prençe, Kryetar i “ProEksport Albania”.

Sipas Prençes, një nga mënyrat për të zbutur efektin e menjëhershëm të kësaj rritjeje mund të jetë mbulimi i një pjese të kontributeve të sigurimeve shoqërore nga ana e qeverisë, jo vetëm për ata që preken drejtpërdrejt nga paga minimale, por për të gjithë punonjësit në sektorët eksportues.

“Është e nevojshme që të mund të ketë hapësira për të incentivuar sektorët që tashmë po vuajnë nga kjo rritje e kostove dhe nga kjo prekje nga kursi i këmbimit. Vetëm në një firmë që ka 600 punonjës në sektorët tanë, rritja e kostove shkon gati 100 mijë euro, vetëm nga rritja e pagës minimale. Nga kush do të përballohen këto kosto? Kjo pyetje duhet bërë nga ana e qeverisë, për t’i subvencionuar dhe jo për t’i vënë akoma më shumë në vështirësi bizneset shqiptare. Një incentivë mund të jetë marrja përsipër e një pjese të sigurimeve shoqërore për punonjësit në tërësi dhe jo vetëm për ata që preken nga paga minimale”.

Gjithashtu, Prençe sugjeron aplikimin e “amortizatorëve fiskalë” për të balancuar efektet negative të kursit të këmbimit dhe të rritjes së kostove, duke theksuar se qeveria ka hapësira buxhetore për të ndërhyrë falë suficitit të të ardhurave.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat