Shqipëria Postuar më 23 Prill 2025, 19:21

Paga e mësuesve, jo më pak se 1500 euro-Berisha: Do investohet shumë në shkollim, “një çati, për çdo çift”

Nga Ola Mitre

Paga e mësuesve, jo më pak se 1500 euro-Berisha: Do investohet

Pagë jo më të ulët se 1500 euro për çdo mësues, për ta ringritur figurën e tij në piedestal”. Nga Vora, ku prezantoi kandidatët e Partisë Demokratike, kryedemokrati Sali Berisha foli për programin e arsimit, duke thekusar se do investohet shumë për shkollimin.

"Sot, arsimi është në një rrokullisje të vërtetë, në një rrokullisje të madhe, në një rrokullisje mjerisht më të madhe në botë, dhe nuk do doja kurrë të thoja një gjë të tillë. Por, ka një provë, ka një test, që e bën organizata e vendeve të zhvilluara, OECD-ja, dhe fëmijët tanë në këtë test të vitit 2006-2013, në këtë test ata dolën me një ngjitje vertikale.
Kurse, për periudhën 2016-2023, ata u paraqitën me rënien më të madhe në botë, me rënien prej 69 pikëve në matematikë, një nga lëndët bazë. Në rënien më të fundit në mendimin krijues. Pse kjo, miq? Sepse, arsimin e shkatërruan. Sepse klasat i bashkuan jashtë çdo kriteri. Sepse, ju vodhën të gjithë kompjuterët. Sepse, nga interneti në çdo shkollë që vendosëm, internet të blerë të tërin nga satelitët, me një kosto shumë të lartë, sot në shkollat shqiptare ka vetëm 5% internet.
Atëherë, nga të shkojë arsimi i lartë?
Mësuesit, nga mësues për dijen, për arsimin, sollën militantë për partinë, dhe i dhanë arsimit goditjet më të rënda.
Unë jam këtu për t’u garantuar ju se, fëmijët tuaj do të kenë shkollat më të mira. Se përsëri, teknologjia digjitale do të zbatohet në çdo shkollë. Se modernizimi i shkollave, do të jetë përparësi e madhe. Mësuesi, do të vendoset në piedestalin që i takon, duke i paguar atij jo më pak se 1500 euro", tha Berisha.

Berisha foli edhe për rritjen e pagës minimale në 500 euro, duke theksuar se kostot e rritura për çdo sipërmarrës do kompensohen me ulje taksash. Ndërkohë që, pagat do të rriten, duke ulur tatimin mbi të ardhurat personale nga 23%, në 10%. Po ashtu kryedemokrati u ndal edhe te mbështetja e çifteve të reja për blerjen e një banese.

"Rroga minimale, nuk do jetë kurrë ndën 500 euro. Çdo sipërmarrësi do t’i kompensohet me ulje taksash rritja e rrogës minimale në 500 euro. Rroga mesatare do të jetë 1200 euro. Po rrogat mbi minimale, që të gjitha, me një vendim të vetëm qeverie, rriten me 13%, sepse ne do të ulim tatimin mbi të ardhurat personale nga 23% në 10%", u shpreh Berisha. 

Sipas Berishës, familja shqiptare ka nevojë të madhe mbështetet ekonomisht, ndërsa risolli në vëmendje se do të vendoset minimum jetik prej 200 euro.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat