Shqipëria Postuar më 27 Shkurt 2025, 14:35

“Paga 2 mijë deri në 3 mijë euro” - Çelet panairi “Work&Study”, mbi 5000 vende të lira pune

Nga Hamit Yzeiraj

“Paga 2 mijë deri në 3 mijë euro” - Çelet

Çelet për herë të 16-të panairi “Work & Study” në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Në këtë panair marrin pjesë 80 biznese dhe mbi 25 universitete, që paraqesin ofertat dhe produktet e tyre për të rinjtë, të cilët janë në kërkim të një vendi pune, apo arsimi të lartë.

Gjatë ceremonisë së hapjes, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, tregoi për veçantinë e këtyre panaireve.

“Vetë fjala Work & Study do të thotë që e ardhmja e vendit tonë duhet të edukohet në mënyrë që të jetë produktive në punësimin e saj. Kjo është një ftesë për të gjithë të rinjtë që duan të ndihmojnë veten e tyre në karrierë, por të ndihmojnë edhe ekonominë e vendit drejt integrimit në Bashkimin Europian. Kemi 2,200 oferta pune me pagë 1,000 euro, por janë 5,500 vende që kërkohen nga bizneset private. Paga mund të jetë edhe 2,000 apo 3,000 euro.”

Nga ana e saj, zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, u shpreh se këto panaire ndihmojnë për të frenuar emigracionin dhe rritur konkurrueshmërinë me vendet e tjera në tregun e punës.

“Ky panair është i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Kompanitë pjesëmarrëse vijnë nga sektorë të ndryshëm, të rëndësishëm për ekonominë e vendit, si teknologjia, industria, ndërtimi, turizmi dhe shërbimet, duke ofruar vende pune me standarde të larta. Ky aktivitet tregon nga njëra anë angazhimin e sipërmarrjeve për të investuar në kapitalin njerëzor, duke rritur konkurrencën jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij.”

Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, aktualisht janë mbi 5 mijë vende të lira pune në të gjithë Shqipërinë.



 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat