Shqipëria Postuar më 2 Dhjetor 2025, 13:47

“Pabarazi” territoriale mes Tiranës dhe qyteteve të tjera - Hasalla: Zgjidhja, hapje biznesesh larg kryeqytetit

Nga Diamila Leka

“Pabarazi” territoriale mes Tiranës dhe qyteteve të tjera

Në Shqipëri po vërehet një ndryshim i madh demografik, i cili po ndikon drejtpërdrejt jo vetëm në jetën sociale të qyteteve, por edhe në ekonominë e vendit. Përqendrimi i popullsisë dhe i bizneseve në qendrat e mëdha urbane, veçanërisht në Tiranë, po lë pas qytetet më të vogla dhe zonat rurale, të cilat vit pas viti boshatisen.

“Shtimi i popullsisë në qendrat e mëdha urbane, sidomos në Tiranë, ka sjellë përqendrim të punëve, bizneseve dhe fuqisë konsumatore. Ndërkohë, qytetet më të vogla dhe zonat rurale po përballen me depopullim të vazhdueshëm, gjë që ndikon rëndë në jetën ekonomike dhe sociale të këtyre zonave. Shumë të rinj, pas përfundimit të studimeve, e kanë të vështirë të gjejnë punë në vendlindjen e tyre, ndaj zgjedhin të qëndrojnë në Tiranë. Në këtë mënyrë, rritet përqendrimi i popullsisë dhe bizneseve, duke krijuar një pabarazi të qartë në zhvillimin ekonomik të vendit”, thotë Gertjana Hasalla, Eksperte Punësimi.

Ekspertët thonë se ky fenomen po çon drejt boshatisjes së qyteteve, vështirësimit të ofrimit të shërbimeve dhe rënies së përgjithshme të aktivitetit ekonomik në zona të tëra të Shqipërisë. Zgjidhja, sipas tyre, duhet të vijë nga vetë bizneset dhe politikat e zhvillimit rajonal.

“Nëse kompanitë hapin degë të tyre në qytetet e vogla dhe zonat rurale, krijohen vende pune dhe nxiset migrimi i brendshëm, jo largimi jashtë vendit. Hapja e fabrikave, bizneseve dhe investimeve në këto zona sjell rikthimin e shërbimeve si arsimi, shëndetësia dhe siguria, të cilat sot janë të vështira për t’u aksesuar në zonat e largëta. Sa më shumë komunitet dhe sa më shumë vende pune të ketë në këto zona, aq më mirë shpërndahet ekonomia, rritet siguria dhe stabiliteti i jetës për të gjithë qytetarët.”

Ndërsa Shqipëria përballet me sfidën e shpopullimit dhe pabarazisë ekonomike, mbetet e qartë se zhvillimi i zonave rurale dhe qyteteve të vogla është çelësi për një ekonomi të balancuar dhe një të ardhme më të qëndrueshme për vendin.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat