Shqipëria Postuar më 27 Maj 2026, 10:43

OSSH modernizon rrjetin elektrik në Orikum Plazh/ Synohet furnizim i qëndrueshëm dhe pa ndërprerje

Nga Ernilda Luzi

OSSH modernizon rrjetin elektrik në Orikum Plazh/ Synohet furnizim i

Drejtoria Rajonale e OSSH Vlorë ka shpallur hapjen e garës për një investim në rrjetin energjetik të zonës së Orikumit. Projekti parashikon zhvillimin e linjave të tensionit të mesëm 20 kilovolt, ndërtimin dhe rikonstruksionin e kabinave elektrike, si edhe zgjerimin e rrjetit të tensionit të ulët për furnizim me energji elektrike në zonën Orikum Plazh dhe fshatit Tragjas. Fondi limit i këtij investimi arrin në 239 milionë e 268 mijë lekë.

Sipas dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, ky projekt parashikon projektimin dhe ndërtimin e rrjetit të ri shpërndarës të tensionit të mesëm 20 kV në zonën e Plazhit të Orikumit dhe fshatit Tragjas, e cila furnizohet me energji elektrike nga nënstacioni 110/35/20 kV Orikum i Ri.

Zona e Orikumit është pjesë e Bashkisë Vlorë dhe përbën një nga zonat më të frekuentuara gjatë sezonit turistik. Këta faktorë kanë ndikuar në rritjen e ndjeshme të kërkesës për energji elektrike, duke tejkaluar kapacitetet aktuale të rrjetit shpërndarës. Për këtë arsye, është e domosdoshme ndërhyrja me rikonstruksion dhe shtim të kapaciteteve të infrastrukturës elektrike, në mënyrë që të garantohet një shërbim cilësor për konsumatorët ekzistues dhe të përmbushen kërkesat e pritshme afatgjata të zonës.

Projekti parashikon ndërtimin e kabinave të reja; rikonstruksionin e kabinave ekzistuese; instalimin e rrjetit të tensionit të ulët. Në dokument theksohet se synohet modernizimi i infrastrukturës ekzistuese për të përmbushur kërkesat në rritje për energji elektrike. Ky fider do të mbulojë zonën e Plazhit të Orikumit dhe fshatin Tragjas, një zonë turistike në zhvillim të shpejtë, duke garantuar furnizim të pandërprerë dhe të qëndrueshëm me energji elektrike dhe duke garantuar rritjen e qëndrueshmërisë së rrjetit në zonat me zhvillim të lartë.

Referuar dokumentit, kabinat do të vendosen sa më afër qendrës së ngarkesës, për të garantuar furnizim efikas dhe të qëndrueshëm me energji elektrike. Ky projekt do të zhvillohet duke respektuar parimet, kriteret dhe kushtet aktuale të zhvillimit urban.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat