Shqipëria Postuar më 29 Korrik 2026, 13:19

OSSH, investim në rrethinat e Tiranës/ Furnizim më i sigurt me energji në Farkë, Kashar dhe Ndroq

Nga Ernilda Luzi

OSSH, investim në rrethinat e Tiranës/ Furnizim më i sigurt me

Drejtoria Rajonale e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për Tiranën ka shpallur procedurën e tenderimit për ndërtimin e kabinave të reja 20 kilovolt dhe realizimin e lidhjeve unazore të fiderave në pikat më kritike të rrjetit elektrik. Investimi, me një fond limit prej 158 milionë e 428 mijë lekësh, synon rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe përmirësimin e infrastrukturës së shpërndarjes në disa prej zonave me zhvillimin më të shpejtë të kryeqytetit.

Referuar dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, projekti do të zbatohet në zonat që furnizohen nga nënstacionet Farkë, Qendër, Kashar dhe Ndroq, duke përfshirë ndërhyrje të rëndësishme në rrjetin e tensionit të mesëm dhe të ulët. Sipas dokumentacionit teknik, do të ndërtohen kabina të reja, si dhe do të rikonstruktohen kabinat ekzistuese, ndërsa rrjeti i amortizuar i tensionit të ulët do të rehabilitohet përmes kabllove moderne.

Ky investim vjen si përgjigje ndaj rritjes së vazhdueshme të konsumit të energjisë elektrike në zonat periferike të Tiranës, ku zhvillimi urban dhe ndërtimet e reja kanë shtuar ndjeshëm kërkesën për furnizim. Nga analizat e kryera në terren rezulton se një pjesë e konsiderueshme e kabinave ekzistuese punojnë me ngarkesa të larta, ndërsa rrjeti paraqet amortizim të pajisjeve, humbje teknike dhe nivele të ulëta tensioni për konsumatorët fundorë.

Në disa prej këtyre zonave, rrjeti i tensionit të ulët vijon të funksionojë me linja të vjetra, të cilat nuk plotësojnë më standardet teknike dhe të sigurisë. Gjithashtu, një pjesë e kabinave të transformacionit janë të mbingarkuara dhe me pajisje të amortizuara, duke rritur rrezikun për ndërprerje të furnizimit dhe duke ndikuar në cilësinë e shërbimit.

Përmes këtij projekti synohet rishpërndarja e ngarkesës në rrjet, zgjerimi i linjave të tensionit të mesëm dhe krijimi i lidhjeve unazore mes fiderave 20 kilovolt. Këto lidhje do të rrisin sigurinë e furnizimit, pasi në rast defekti energjia do të mund të furnizohet nga një linjë alternative, duke reduktuar kohën e ndërprerjeve për abonentët.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat