Shqipëria Postuar më 22 Korrik 2025, 10:35

OSHEE miraton lehtësi për borxhet e energjisë/ Këste të ulëta dhe reduktim deri në 100% të kamatvonesave

Nga Diamila Leka

OSHEE miraton lehtësi për borxhet e energjisë/  Këste

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ka miratuar skema të reja lehtësuese për pagesën me këste të detyrimeve të prapambetura nga faturat e energjisë elektrike, të cilat janë të akumuluara deri më 31 dhjetor 2023. Këto aktmarrëveshje, kanë si synim mbështetjen e shtresave më të ndjeshme të familjeve, si dhe biznesin e vogël, duke ofruar mundësi reale për përballimin dhe shlyerjen graduale të borxheve.

Por kush përfiton nga këto aktmarrëveshje?

Sipas OSHEE, nga kjo skemë përfitues janë klientët familjarë me ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe personat me status të veçantë të cilët mund të përfitojnë këste fikse mujore duke filluar nga 1200 lekë. Ndërkohë, klientët e tjerë familjarë do të kenë mundësinë të shlyejnë detyrimet me këste duke filluar nga 2800 lekë në muaj. Për të ruajtur një balancë mes përballueshmërisë dhe drejtësisë, OSHEE ka vendosur që numri maksimal i kësteve të mos i kalojë 240. Megjithatë, çdo klient ka të drejtë të zgjedhë një këst më të lartë se vlera minimale, për aq kohë sa respektohet kufiri maksimal i kësteve.

Ndërkohë, për klientët jofamiljarë, përfshirë privatë, buxhetorë e jobuxhetorë, do të paguajnë me këste të përcaktuara në bazë të shumës së detyrimit. Skema për klientët jo familjarë fillon nga 24 këste, në vlerën e detyrimit 100,000 deri në 500,000 lekë, deri në 120 këste ku përcaktohet vlera e detyrimit nga 5 milionë e 1 lekë deri në 10 milionë lekë.

Në kuadër të këtyre masave, OSHEE Group ka miratuar edhe reduktime të konsiderueshme të kamatëvonesave për klientët që zgjedhin të likuidojnë të gjithë detyrimin në një këst të vetëm. Klientët familjarë përfitojnë reduktim prej 70% të kamatëvonesës ndërsa klientët jofamiljarë (si ata buxhetorë, ashtu edhe jobuxhetorë) përfitojnë reduktim prej 50%. Biznesi i vogël përfiton falje të plotë (100%) të kamatëvonesës, nëse shlyen detyrimin menjëherë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat