Shqipëria Postuar më 2 Shtator 2026, 13:24

OSHEE fal 2.5 mln euro nga kamatëvonesat - Mbi 4 mijë aktmarrëveshje në 2026, gati 69% e klientëve shlyen borxhin menjëherë

Nga Ola Mitre

OSHEE fal 2.5 mln euro nga kamatëvonesat - Mbi 4 mijë

Rreth 2.5 mln euro kamatëvonesa janë reduktuar gjatë vitit 2026 për klientët familjarë dhe bizneset që kanë zgjedhur të shlyejnë menjëherë detyrimet e prapambetura ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Sipas të dhënave të kompanisë, deri më tani janë lidhur 4,095 aktmarrëveshje me Furnizuesin e Shërbimit Universal, ndërsa 2,818 prej tyre, ose 68.8%, kanë përfunduar me shlyerjen e të gjithë detyrimit me një këst të vetëm.

Pjesa më e madhe e marrëveshjeve i përket klientëve familjarë. Në total janë lidhur 2,893 aktmarrëveshje për këtë kategori, nga të cilat 1,928 kanë zgjedhur pagesën e menjëhershme, duke përfituar reduktim me 70% të kamatëvonesës. Ndërkohë, 965 familjarë kanë zgjedhur shlyerjen e detyrimeve përmes pagesave me këste.

Për kategoritë jofamiljare janë firmosur 1,202 aktmarrëveshje, ku përfshihen klientët buxhetorë dhe jobuxhetorë, si dhe bizneset e vogla dhe të mëdha. Skema përfshin detyrimet e krijuara deri në fund të vitit 2024, ndërsa për kategoritë në nevojë mund të përfshihen edhe detyrimet e krijuara gjatë vitit 2025.

Për klientët buxhetorë dhe jobuxhetorë, numri i kësteve përcaktohet sipas shumës së borxhit. Afati nis nga 24 këste për detyrime nga 100-500 mijë lekë dhe arrin deri në 120 këste për debi mbi 10 mln lekë. Edhe për këto kategori kërkohet që të mos jenë krijuar detyrime të reja gjatë periudhës 2025–2026.

Një skemë e veçantë zbatohet edhe për faturat korrektive, përmbledhëse apo sistemuese, si dhe për rastet që lidhen me demontimin ose testimin e matësve. Këto detyrime mund të shlyhen deri në 24 këste. Ndërkohë, reduktimi i kamatëvonesës ndryshon sipas kategorive. Familjarët përfitojnë ulje me 70%, klientët jofamiljarë, buxhetorë dhe jobuxhetorë me 50%, ndërsa bizneset e vogla përfitojnë falje të plotë të kamatëvonesës nëse shlyejnë të gjithë detyrimin menjëherë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat