Shqipëria Postuar më 4 Tetor 2025, 12:11

Operacioni “SCAMS”, arrestime e konfiskime për mashtrim financiar/ Pranga administratorit të call-center, sekuestrohen mbi 100 mijë euro

Nga SCAN TV

 

Operacioni “SCAMS”, arrestime e konfiskime për mashtrim

Drejtoria për Hetimin të Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Policinë e Shtetit ka zbuluar dhe mbyllur një tjetër Call Center në Tiranë, që shërbente për të mashtruar qytetarët evropianë, duke i bindur të investonin në bursa fiktive. Në pranga është vënë administratori i këtij subjekti, një i ri 28 vjecar dhe një bashkëpunëtor i tij si edhe në të njëtën kohë janë proceduar penalisht 38 shtetas të punësuar në atë call center.

Pas operacionit që policia e kishte koduar me emrin “SCAMS”,  janë sekuestruar gjithsej rreth 107 mijë euro dhe 700.000 lekë të rinj, 51 njësi kompjuterike, 14 aparate celular, lista me emrat e klientëve dhe shumave të përfituara, etj.

Subjekti që e ushtronte aktivitetin e tij në rrugën “Bardhok Biba”, në kryeqytet ishte i licencuar për marketing, suport dhe konsulence në çdo veprimtari të ligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj. Në të vërtetë subjekti ushtronte veprimtari të kundraligjshme Call Center me qëllim mashtrimin e qytetarëve evropianë.

Në listën e objektivave të vendosura nga menaxherët dhe bonuset që merrnin operatorët në bazë të objektivave, për muajin tetor ishte kërkuar një aktivitet 1.5 milionë euro.

Kontrollet për këtë aktivitet janë shtrirë edhe në banesat e bashkëpunëtorëve të administratorit të subjektit në fjalë ku janë kryer edhe sekuestrime të një pjese të parave.

Personat e arrestuar akuzohen për veprat penale “Mashtrim me pasoja të rënda”; “Punësim i paligjshëm” dhe “Fshehje të ardhurash”.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat