Shqipëria Postuar më 14 Nëntor 2025, 17:11

Operacioni në Farkë, vijon kontrolli i lejeve të ndërtimit - Koçiu: Kush shkel rregullat futet në listën e zezë, nuk ka më të drejtë aplikimi

Nga Ledina Elezi

Operacioni në Farkë, vijon kontrolli i lejeve të ndërtimit -

Vijon operacioni në Farkë për të evidentuar nëse çdo leje ndërtimi është në respekt të rregullave dhe çdo leje e miratuar po zbatohet siç duhet.

Gjatë inspektimit në terren, Ministrja e Brendshme Albana Koçiu, u shpreh se  disa nga shkeljet e konstatuara kanë të bëjnë me mungesën e dokumentacionit dhe aktet e kontrollit në terren.

“Dua të theksoj edhe njëherë, ndërtuesit, projektuesit dhe çdo palë e përfshirë kanë detyrimin e vetëm zbatimin e plotë të ligjit. Deri më tani, nga inspektimet janë konstatuar një sërë shkeljesh, duke nisur nga mungesa e dokumentacionit teknik në kantier, mungesa e akteve të kontrollit sipas fazave të punimeve, moszbatimi i planeve të organizimit të kantiereve, mungesë e masave  të sigurimit teknik dhe shkelje të kushteve të lejeve të ndërtimit që kanë sjellë shtesa në sipërfaqe ndërtimore”, theksoi Ministrja.

Ajo sqaroi edhe njëherë masat që ndërmerren në rast të të tilla shkeljeve, duke nisur me futjen në listën e zezë të shkelësve, objektet pa leje prishen me kosto për vetë shkelësit dhe, kur e parashikon ligji, konfiskohen.

“Kush shkel rregullat futet në listën e zezë dhe nuk ka më të drejtë të aplikojë për leje ndërtimi. Së dyti, shpenzimet e prishjes i mban subjekti që ka kryer shkeljen. Gjithashtu, në rastet e përcaktuara nga ligji, objekti konfiskohet për interes publik ose për strehim social. Dua të bëj të qartë se ky nuk është një aksion i përkohshëm, ky është një operacion i pandalshëm, i mbështetur në ligj për vendosjen e rregullit dhe standardit në territor dhe për t'i dhënë fund njëherë e përgjithmonë abuzimeve, duke përfshirë edhe ndëshkimin e autoriteteve që mbyllin sytë ose implikohen në paligjshmëri”, tha Koçiu.

Sipas saj, aktet e reja normative nuk lënë vend për abuzime.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat