Shqipëria Postuar më 10 Shkurt 2026, 10:56

OBP përmbyll Arkivën Digjitale: Një platformë e zhvilluar nga ekspertët TIK të institucionit

Nga SCAN TV

OBP përmbyll Arkivën Digjitale: Një platformë e zhvilluar

Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) ka përfunduar me sukses ndërtimin dhe funksionalizimin e Arkivës Digjitale, një nga shtyllat kryesore të Strategjisë 3-vjeçare të zhvillimit të institucionit, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të proceseve administrative dhe qeverisjes pa letra.

Ky projekt përfaqëson më shumë sesa një investim teknologjik. Ai është një transformim real i mënyrës se si administrohet kujtesa institucionale dhe dokumentacioni i prokurimit publik, duke vendosur standarde të reja për ruajtjen, organizimin dhe aksesin në dosjet e tenderave të zhvilluara ndër vite nga OBP.

Një element thelbësor që e dallon këtë nismë është fakti se Arkiva Digjitale është ndërtuar plotësisht nga brenda institucionit, falë angazhimit profesional, njohurive teknike dhe vizionit të stafit të teknologjisë së informacionit, programuesve dhe specialistëve të dedikuar të OBP. Ky zhvillim dëshmon qartë se institucioni nuk është vetëm një autoritet që zhvillon procedura prokurimi, por edhe një strukturë që krijon zgjidhje dixhitale funksionale, të ndërtuara mbi kapacitete të brendshme dhe të orientuara drejt eficiencës së proceseve.

Përmes platformës së re, të gjitha dosjet fizike të tenderave do të digjitalizohen dhe organizohen në një arkivë unike elektronike, të strukturuar, të sigurt dhe lehtësisht të aksesueshme nga strukturat përkatëse. Ky proces garanton ruajtjen afatgjatë të dokumentacionit, rrit ndjeshëm transparencën institucionale, shkurton kohët administrative dhe minimizon rreziqet që lidhen me humbjen apo degradimin e materialeve fizike.

Ky zhvillim lidhet drejtpërdrejt edhe me parimet e ESG (Environmental, Social & Governance) dhe të ekonomisë qarkulluese, duke reflektuar një qasje të përgjegjshme ndaj mjedisit, burimeve dhe qeverisjes. Kalimi nga arkivimi fizik në platformën digjitale të arkivimit redukton ndjeshëm përdorimin e letrës, hapësirave fizike dhe kostove operative, duke ulur gjurmën mjedisore të institucionit.

Në të njëjtën kohë, forcohet dimensioni i qeverisjes së mirë përmes rritjes së transparencës, gjurmueshmërisë dhe integritetit të dokumentacionit publik, ndërsa dimensioni social përkthehet në procese më efikase, shërbime më të shpejta dhe akses më të mirë në informacion për administratën. Në këtë kuadër, Arkiva Digjitale e OBP-së nuk është vetëm një zgjidhje teknologjike, por edhe një kontribut konkret drejt një administrate publike më të qëndrueshme, më të përgjegjshme dhe të orientuar drejt zhvillimit afatgjatë.

Ky sukses reflekton filozofinë e funksionimit të OBP-së: ajo që planifikohet realizohet dhe ajo që premtohet mbështetet në punë konkrete, dije profesionale dhe kapacitete të brendshme. Në këtë kuadër, Arkiva Digjitale shërben si një shembull i qartë se si institucionet publike mund të zhvillojnë zgjidhje të qëndrueshme dixhitale, pa varësi të panevojshme nga burime të jashtme.

Me këtë projekt, Operatori i Blerjeve të Përqendruara konfirmon edhe një herë rolin e tij jo vetëm si një aktor kyç në prokurimin publik të mallrave, shërbimeve dhe investimeve, por edhe si një institucion që krijon sisteme, zhvillon platforma dhe vendos standarde të reja për menaxhimin publik në epokën dixhitale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat