Shqipëria Postuar më 26 Gusht 2025, 17:11

OBP i kurseu buxhetit 26.5 milionë euro - Gonxhja: Kjo ndodhi falë prokurimeve transparente dhe menaxhimit efikas

Nga SCAN TV

OBP i kurseu buxhetit 26.5 milionë euro - Gonxhja: Kjo ndodhi falë

Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka arritur që ti kursejë buxhetit të shtetit 26,5 milionë euro. Këtë shifër e ka publikuar ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili ka folur për një periudhë 16 muajshe. Sipas Gonxhes kjo shifër është kursyer “falë prokurimeve transparente, menaxhimit efikas dhe shpejtësisë rekord në çdo procedurë”.

Ministri ka shtuar se kjo shifër për qytetarët përkthehet në më shumë shkolla moderne për fëmijët; më shumë spitale dhe qendra shëndetësore me pajisje të reja; më shumë investime në rrugë, infrastrukturë dhe shërbime publike dhe më shumë fonde për arsim, shëndetësi dhe zhvillim social. “Ky rezultat tregon se OBP po vendos standarde të reja në menaxhimin e parasë publike, duke mbrojtur interesin e qytetarëve dhe duke kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës”, u shpreh Gonxhja, ndërsa e cilësoi këtë shifër një fitore për ekonominë dhe një investim për të ardhmen.

OBP për herë të parë publikon në kohë reale dhe njofton operatorët ekonomikë që regjistrohen në sistem, për çdo garë e tender të shpallur përmes një platforme online falas. Gjithashtu OBP publikon online Katalogun Digjital ALBZONE për autoritetet kontraktore, ku porosia kryhet në kohë reale. OBP auditohet, monitorohet dhe është subjekt i kontrollit për çdo veprim, qendrim e praktikë zyrtare. Edhe pse termat dhe specifikimet teknike hartohen nga autoritetet kontraktore, OBP po punon për mbështetjen me ekspertizë, automatizimin dhe informatizimin e plotë të procesit të prokurimeve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat