Shqipëria Postuar më 27 Shkurt 2026, 14:44

OBP forcon rritjen e pjesëmarrjes së bizneseve në prokurime - Ibrahimaj: Më shumë sipërmarrje në tenderë, më shumë transparencë për tregun

Nga Diamila Leka

OBP forcon rritjen e pjesëmarrjes së bizneseve në prokurime -

Operatori i Blerjeve të Përqendruara zhvilloi sot forumin me temë “Nxitja e pjesëmarrjes së bizneseve në procedurat e prokurimit të OBP”, një aktivitet që mblodhi përfaqësues të shoqatave të biznesit, sipërmarrës dhe ekspertë të prokurimeve. Në fjalën e mbajtur në këtë forum, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, theksoi rëndësinë e prokurimit publik si instrument zhvillimi ekonomik dhe forcimi të konkurrencës.

“Pjesëmarrja sa më e gjerë e bizneseve në prokurimin publik sjell konkurrencë më të fortë, produkte dhe shërbime më cilësore, si dhe kosto më të ulëta për qytetarët."

Roli i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara është në standardizimin dhe konsolidimin e procedurave të prokurimit.

Arlinda Pogaj Administratorja e OBP: “Ky forum është të sqarojmë procesin e aplikimit dhe kriteret tona të kualifikimit për të gjitha procedurat e prokurimit. Të dëgjojmë të gjitha shqetësimet e biznesit, barrierat reale të operatorëve ekonomikë të cilët kanë marrë pjesë apo mendojnë të marrin pjesë në procedurat tona të konkurrimit. Ne nuk e duam një dialog njëdrejtimësh. Ne duam feedback, ne duam propozime konkrete dhe duam të adresojmë çdo shqetësim të operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në garat tona. Ambicia jonë është që OBP-ja të jetë një bashkëpunëtor institucional i biznesit dhe i përfaqësuesve të biznesit. Pra, ta shikojmë këtë forum si një nisje, një bashkëpunim real i institucionit të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara dhe biznesit, patjetër duke e bërë sa më të lehtë pjesëmarrjen tuaj në garat e prokurimit.”

Sekretari i Këshillit Ekonomik Kombëtar, Arben Shkodra vlerësoi nismën për dialog të drejtpërdrejtë me institucionet publike, duke theksuar nevojën për komunikim të vazhdueshëm.

“Prokurimi publik është një nga elementët e rëndësishëm të integrimit në Bashkimin Europian. Ne e dimë shumë mirë që tenderat shqiptarë, siç u themi ne në gjuhën tonë, do kthehen në tendera europianë sipas kritereve, standardeve europiane, që do të thotë që e kemi shumë të rëndësishme ta njohim standardin dhe më pas që të performojmë me këtë standard. Për njërën anë tjetër, biznesi ka disa le të themi shtylla ku kërkon që të ketë një qasje ndryshe me qeverinë. Së pari, duhet të prekim pjesën e besueshmërisë. Së dyti, patjetër që kemi dimensionin tjetër të dytë që duhet ta trajtojmë, që ka të bëjë me konkurrencën e ndershme. Një dimension tjetër që unë mendoj që ia vlen të diskutohet dhe ju ftoj që ta orientoni bisedën e mëpasme është parashikueshmëria. Sa ne e kemi të mundur që të kemi një parashikueshmëri nga ana e autoriteteve shtetërore.”

Gjatë 21 muajve të veprimtarisë së tij, OBP ka konsoliduar një model të qëndrueshëm të prokurimit të përqendruar në rreth 40 fusha të ndryshme, duke zhvilluar afro 1000 procedura për 216 institucione publike dhe duke kursyer për buxhetin e shtetit rreth 35.5 milionë euro.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat