Shqipëria Postuar më 29 Korrik 2025, 13:26

Nuk ndalet rënia e euros/ U këmbye me 97 lekë gjatë gjithë korrikut, në nivelet më të ulëta historike

Nga Ledina Elezi

Nuk ndalet rënia e euros/ U këmbye me 97 lekë gjatë

Euro është zhvlerësuar në mënyrë të frikshme kundrejt lekut gjatë muajit korrik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit, 1 euro u këmbye me 97.42 lekë në datën 25 korrik, duke prekur kështu nivelin më të ulët në të paktën 5 vitet e fundit.

Por si është paraqitur kursi i këmbimit që nga fillimi i këtij viti?

Ky vit nuk nisi shumë pozitivisht për monedhën evropiane, pasi në pjesën më të madhe të janarit, euro vijoi të këmbehej me 98 lekë. Në gjysmën e parë të këtij viti, i vetmi rast ku 1 euro është këmbyer me 100 lekë, ka qenë në 30 janar.

Nga ana tjetër, euro do të binte për herë të parë nën 98 lekë në maj, konkretisht në 97.99 lekë në 6 maj, për t'u rimëkëmbur disi në pjesën tjetër të tij. Ndërkohë, që prej datës 2 korrik e deri më tani, 1 euro është këmbyer me vetëm 97 lekë.

Rënia e euros nën 100 lekë ka nisur që prej gushtit të vitit të kaluar dhe që nga atëherë, kursi i këmbimit euro-lek ka mbetur në nivele tepër të ulëta.

Në 29 korrik, euro është rimëkëmbur lehtë duke u këmbyer me 97.54 lekë.

Cilat janë përpjekjet e bëra për zbutur kursin e këmbimit dhe  pasojat e këtij zhvlerësimi?

Bizneset eksportuese kanë qenë ato që kanë pasur më tepër humbje nga luhatjet e kursit të këmbimit në vitet e fundit, pasi ato kanë kontrata që janë kryesisht në euro dhe një kontratë për të njëjtën vlerë në euro, por e konvertuar në lek vlen më pak. Para pak muajsh, Shoqata ProEksport kërkoi që të vendosej një kurs këmbimi industrial, pra të fiksohej kursi i këmbimit lek-valutë vetëm për eksportuesit.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka të drejtë të ndërhyjë në tregun e brendshëm valutor që të zbusë kursin e këmbimit. Në tremujorin e parë, Banka e Shqipërisë ka blerë vetëm 33.20 milionë euro me qëllim rritjen  e rezervës valutore, pra nuk ka bërë ndërhyrje direkte për të frenuar rënien e mëtejshme të euros.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat