Shqipëria Postuar më 14 Gusht 2026, 10:33

Nuk ndalet kërkesa për kredi - Raporti i BSH: Bizneset kërkojnë para për investime, individët për banesa dhe konsum

Nga Ledina Elezi

Nuk ndalet kërkesa për kredi - Raporti i BSH: Bizneset

Kredia për sektorin privat po vijon të rritet me ritme të larta, duke treguar një kërkesë të fortë si nga bizneset, ashtu edhe nga individët. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për tremujorin e dytë të vitit 2026 tregojnë se bankat po financojnë më shumë ekonominë, ndërsa kushtet e kreditimit mbeten përgjithësisht të favorshme.

Portofoli i kredisë për sektorin privat u rrit me rreth 14% krahasuar me një vit më parë. Rritja është e pranishme në pothuajse të gjitha kategoritë, por veçanërisht në financimin e bizneseve dhe individëve.

Për bizneset, kërkesa për kredi vijon të jetë e lartë. Kompanitë po kërkojnë më shumë financim për investime, për nevoja likuiditeti dhe për zgjerimin e aktivitetit. Bankat raportojnë gjithashtu se standardet e kreditimit për bizneset kanë mbetur përgjithësisht të pandryshuara, ndërsa konkurrenca mes bankave ka ndikuar në kushte më të favorshme për huamarrësit.

Një pjesë e rëndësishme e kësaj rritjeje lidhet me kreditë për investime. Bizneset po përdorin më shumë financimin bankar për të zgjeruar kapacitetet, për të blerë pajisje dhe për të zhvilluar aktivitetin e tyre. Në këtë drejtim, bankat kanë raportuar rritje të kërkesës sidomos nga bizneset e vogla dhe të mesme.

Por jo vetëm kompanitë po marrin më shumë kredi, edhe individët po financohen me ritme të larta. Kërkesa mbetet e fortë për blerjen e banesave, por edhe për konsum. Kredia konsumatore ka shënuar një rritje të ndjeshme, ndërsa edhe kreditë hipotekore vijojnë të zgjerohen.

Sipas bankave, lehtësimi i kushteve të financimit, konkurrenca më e madhe në treg dhe një tolerancë më e lartë ndaj rrezikut kanë ndikuar në këtë rritje të kreditimit për individët.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është orientimi gjithnjë e më i madh drejt kredisë në lekë. Financimi në monedhën vendase është rritur më shpejt, duke rritur edhe peshën e tij në totalin e portofolit të kredisë.

Rritja e kreditimit shihet si një sinjal pozitiv për aktivitetin ekonomik, por njëkohësisht kërkon edhe kujdes nga bankat dhe huamarrësit, në mënyrë që zgjerimi i shpejtë i kredisë të shoqërohet me aftësi të qëndrueshme për shlyerjen e detyrimeve.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat