Shqipëria Postuar më 19 Qershor 2026, 11:21

“Nuk ka ende projekt për Zvërnecin” - Ibrahimaj: Çdo investim do t’u nënshtrohet standardeve të BE-së

Nga Edel Strazimiri

“Nuk ka ende projekt për Zvërnecin” - Ibrahimaj:

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se qeveria shqiptare mbështet zhvillimin e projektit turistik në zonën e Zvërnecit, por theksoi se deri më tani nuk ka një projekt përfundimtar dhe se çdo propozim do të vlerësohet mbi bazën e standardeve mjedisore dhe legjislacionit në fuqi.

Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ibrahimaj bëri të ditur se aktualisht puna është në fazën e studimeve dhe projektimit, ku janë përfshirë arkitektë, specialistë të ndikimit në mjedis dhe ekspertë të peizazhit.

Sipas saj, qeveria nuk disponon ende një projekt final për zhvillimin e zonës, ndërsa çdo propozim që do të paraqitet do t'i nënshtrohet analizës së plotë nga institucionet përgjegjëse dhe procesit të vlerësimit të ndikimit në mjedis.

Ministrja theksoi se zhvillimi i projektit do të lejohet vetëm nëse respektohen të gjitha standardet e Bashkimit Europian për mbrojtjen e mjedisit, duke kujtuar se Shqipëria ndodhet në procesin e negociatave për anëtarësim dhe po harmonizon legjislacionin me acquis-in europian.

Ibrahimaj shtoi se qeveria synon të tërheqë investime strategjike që, përveç ndikimit ekonomik, sjellin standarde të reja në sektorin e turizmit dhe përmirësojnë imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik.

Duke komentuar vlerën prej 4 miliardë eurosh të përmendur më herët në lidhje me investimin, ministrja sqaroi se ajo i përkiste një projekti të mëparshëm, i cili nuk u miratua nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, pasi nuk plotësonte kriteret për intensitetin e ndërtimit dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ajo theksoi se aktualisht nuk mund të përcaktohet vlera e investimit që mund të paraqitet në të ardhmen, pasi ende nuk ekziston një projekt përfundimtar.

Në përfundim, Ibrahimaj nënvizoi se ruajtja e natyrës mbetet prioritet si për qeverinë, ashtu edhe për investitorët potencialë, duke theksuar se vlerat natyrore të Zvërnecit janë arsyeja kryesore që e bëjnë zonën tërheqëse për zhvillimin e turizmit cilësor.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat